Përçahen edhe të burgosurit e VV-së, familjarët e Egzon Halitit dhe Atdhe Arifit: Dardan Molliqaj nuk na përfaqëson
Ndarjet në Vetëvendosje vetëm sa po shtohen në mes dy gaborreve, atij të Dardan Molliqajt dhe Albin Kurtit.
Lajme
Familjarët e dy të burgosurve Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi, përmes një letre për media kanë thënë se Dardan Molliqaj, ish sekretar i kësaj partie, tash deputet nuk i përfaqëson më.
Molliqaj ishte paralajmëruar se do të merrte pjesë sonte në një debat televiziv për të folur në lidhje me burgosjen e aktivistëve të kësaj partie që u shpallën të fajshëm nga Gjykata për sulm terrorist ndaj Kuvendit të Kosovës.
Kujtojmë se e burgosura tjetër Adea Batusha ka dal në krah të Visar Ymerit, kreut aktual të VV-së përmes një letre publike. Ndërsa Frashër Krasniqi ende nuk është deklaruar publikisht.
Kjo është letra e plotë:
Letër e familjarëve të burgosurve politikë, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi
Dardan Molliqaj nuk na përfaqëson
Sot, në orët e pasdites kuptuam që në emisionin Rubikon të KTV-së do të flitet për rastin e dënimit të padrejtë të bijve tanë nga Gjykatat e kapura të këtij regjimi politik. Poashtu nga njoftimi publik kuptuam që në emër të Lëvizjes dhe aktivistëve të dënuar do të fliste Dardan Molliqaj. Me të kuptuar këtë, ne kontaktuam me zyrtarë të Lëvizjes të cilët na njoftuan që kjo nuk është bërë ne koordinim me organet e Lëvizjes, përkatësisht Sekretariatin e Përgjithshëm që drejtohet nga Ismajl Kurteshi, i cili me sa dimë nuk është në dijeni për këtë emision.
Ne jemi shumë të indinjuar dhe njëkohesisht të prekur thellë sesi dikush po mundohet të fitojë popullaritet përmes çështjes së bijve tanë. Ne duam të besojmë që organet e Lëvizjes do të na përfaqësojnë drejtë. Poashtu duam të njoftojmë që as në këtë emision dhe në asnjë qëndrim publik të shprehur, Dardan Molliqaj nuk na përfaqëson dhe nuk mund të shtiret sikur po i mbrojn bijtë tanë. Ai, tashmë kur kanë kaluar më shumë se një muaj nga dënimi i bijve tanë nuk na ka kontaktuar fare e as vizituar.
Dardan Molliqaj para se të marrë pjesë në emisione për këtë çështje, duhet të na e sqarojë mungesën e tij në seancën ku bijve tanë iu shqiptua dënimi. Ai morri pjesë në secilën seancë tjetër, përveç në ketë të fundit. Dardan, para se të flasësh në emrin e bijve tanë dhe në emrin tonë na trego ku ishe atë ditë?