Për deputetët serbë krejt njësoj, si Thaçi, si Isa, si Ramushi

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese mund ta ndryshojë qëndrimin e Lista Srpska-s, pasi deklarojnë se janë të hapur për koalicion si ndaj Isa Mustafës, ashtu edhe Ramush Haradinajt apo Hashim Thaçit, varësisht se kush e formon qeverinë. 

Lajme

21/08/2014 22:22

Vlladeta Kostiq tha për Klan Kosova se ky subjekt pret vendimin e Kushtetueses për të parë nëse do të ndryshojnë ose jo qëndrim.

“Vendimi i Gjykatës duhet të jetë në përputhshmëri me ligjin. Kjo situatë erdhi sepse ligji për zgjedhjet është i keq. Gjykata duhet të njohë votën e popullit. Pra, në Kuvend, kush e ka shumicën i takon kryekuvendari dhe mandatari për qeveri. Pra, është matematikë e thjeshtë”, tha Kostiq.

Ai tha se bashkë edhe me tetë kolegë të tij të Listës Srpska janë të hapur ndaj bashkëpunimit me të gjitha partitë, pavarësisht se në seancën e 17 korrikut ata mbështetën bllokun LDK-AAK-NISMA.

Por, sipas Kostiqit, Lista Srpska do të ketë kushte për ata që do të formojnë qeverinë.

“E parëndësishme nëse Isa Mustafa apo Hashim Thaçi do të bëjnë shumicën, ne kur do të ulemi në tavolinë do t’i themi kushtet tona, që janë evropiane. Por detajet dihen vetëm kur të hymë në bisedime me shumicën shqiptare”, tha ai.