Peci sapo u lirua nga intervistimi në Prokurori Speciale, Kurti e lavdëron qeverisjen e tij në Ministri të Bujqësisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka lavdëruar qeverisjen e ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Pecit, ndonëse ai vetëm pak orë më parë u intervistua nga Prokuroria Speciale për korrupsion. Kurti përmes një postimi në Facebook, ka shkruar në lidhje me panairin “AGROKOS & Agroturizëm 2025”, e ku ka thënë se bujqësia është rikthyer në…

Lajme

27/05/2025 21:27

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka lavdëruar qeverisjen e ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Pecit, ndonëse ai vetëm pak orë më parë u intervistua nga Prokuroria Speciale për korrupsion.

Kurti përmes një postimi në Facebook, ka shkruar në lidhje me panairin “AGROKOS & Agroturizëm 2025”, e ku ka thënë se bujqësia është rikthyer në një pasuri për Kosovën falë punës së Pecit.

Ai ka përmendur të arriturat në këtë dikaster, ndërkaq nuk ka thënë asgjë për skandalet e njëpasnjëshme në këtë ministri.

“Panairi AGROKOS & Agroturizëm 2025 – një ngjarje e përvitshme ku përfaqësohen prodhues të kulturave bujqësore, përpunues të frutave dhe të produkteve blegtorale, kompani të makinerive bujqësore, pijeve artizanale, ambalazhimit dhe standardizimit dhe agroturizmi, një sektor i cili po kthehet në një pasuri të re për vendin tonë. E kjo padyshim është edhe rezultat i trajtimit me prioritet e seriozitet që i kemi bërë sektorit të bujqësisë dhe qeverisjes së mirë e të suksesshme të ministrit të linjës, Faton Peci. Për herë të parë, janë ndarë 300 milionë euro për 120 mijë fermerë përmes granteve dhe subvencioneve, me ç’rast mbështetja për grurin është rritur me 275%, e për bujqësinë organike me 500%”, ka shkruar Kurti derisa ka përmendur disa nga siç i quan ai “sukseset” në këtë sektor.

Postimi i tij i plotë pa ndërhyrje:

Panairi AGROKOS & Agroturizëm 2025 – një ngjarje e përvitshme ku përfaqësohen prodhues të kulturave bujqësore, përpunues të frutave dhe të produkteve blegtorale, kompani të makinerive bujqësore, pijeve artizanale, ambalazhimit dhe standardizimit dhe agroturizmi, një sektor i cili po kthehet në një pasuri të re për vendin tonë.

E kjo padyshim është edhe rezultat i trajtimit me prioritet e seriozitet që i kemi bërë sektorit të bujqësisë dhe qeverisjes së mirë e të suksesshme të ministrit të linjës, Faton Peci.

Për herë të parë, janë ndarë 300 milionë euro për 120 mijë fermerë përmes granteve dhe subvencioneve, me ç’rast mbështetja për grurin është rritur me 275%, e për bujqësinë organike me 500%.

Janë rehabilituar sisteme ujitjeje për mbi 11 mijë hektarë dhe është rritur për 50% toka e punueshme bujqësore për vetëm katër vjet – nga rreth 80 mijë hektarë në mbi 120 mijë hektarë.

Prodhimi vendor dhe konkurrueshmëria e produkteve tona në tregje të huaja është rritur. Nga viti 2019 deri më sot, eksporti i domateve, zarzavateve dhe perimeve të konservuara është shumëfishuar.

Në blegtori kemi ndarë mbi 13 milionë euro për ndërtimin e 93 stallave të reja, shtimin e mbi 2,000 krerëve gjedhe dhe blerjen e dhjetëra traktorëve.

Për herë të parë janë kthyer në pronësi të shtetit prona me vlerë miliona euro, të cilat më parë ishin tjetërsuar në mënyrë të paligjshme. Kemi kthyer besimin te ligji, te drejtësia dhe te mbrojtja e pasurisë publike. 30 mijë fermerë në baza vjetore janë dëshmitarë përfitues të angazhimit të ministrisë dhe qeverisë në përgjithësi.