Peci i përgjigjet Ramës për protestën e 1 shtatorit: Mos fol në emër të të gjithëve
Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, ka reaguar ndaj njoftimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për protestën e paralajmëruar nga kryetarët e komunave më 1 shtator para Qeverisë. Peci i ka kërkuar Ramës të mos flasë në emër të të gjithë kryetarëve të komunave, duke bërë të ditur se Mitrovica nuk qëndron pas këtij qëndrimi.…
Lajme
Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, ka reaguar ndaj njoftimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për protestën e paralajmëruar nga kryetarët e komunave më 1 shtator para Qeverisë.
Peci i ka kërkuar Ramës të mos flasë në emër të të gjithë kryetarëve të komunave, duke bërë të ditur se Mitrovica nuk qëndron pas këtij qëndrimi.
“JO në emrin tim dhe të Mitrovicës, Përparim!”, ka shkruar Peci.
Ai ka thënë se e kupton përpjekjen e Ramës për të marrë rol opozitar ndaj Qeverisë, por ka kundërshtuar, siç ka thënë, tendencën për të folur në emër të të gjitha komunave.
“E kuptoj tendencën tënde për të luajtur rolin e liderit opozitar karshi Qeverisë, por nuk kam mirëkuptim karshi tendencës të flasësh në emër të të gjithë kryetarëve të komunave, e aq më pak të Mitrovicës”, ka deklaruar Peci.
Sipas tij, përplasjet e komunave me Qeverinë nuk i shërbejnë interesit publik dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.
“Nëse diçka e dëmton interesin publik dhe qytetar, si dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, është tendenca e krisur që disa komuna t’ia bëjnë opozitën Qeverisë”, ka shkruar ai.
Peci është ndalur edhe te pretendimet për 334 milionë euro dëm, duke thënë se përgjegjësit, nëse bëhet fjalë për kontratën kolektive, duhet të kërkohen në tavolinën ku janë marrë vendimet.
“Ata që i paskan shkaktuar 334 milionë euro dëm (nëse po flisni për kontratën kolektive) i ke në tavolinë, po ti s’e di kontekstin institucional dhe politik në vend, dhe për këtë dëm prej qindra milionë eurosh askush nuk është ftuar as në intervistim, as për të dhënë shpjegim”, ka shkruar Peci. /Lajmi.net/