PDK pas kompromisit të Kurtit: Po legjitimon strukturat ilegale të Serbisë dhe po cenon sovranitetin e Kosovës

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar ndaj vendimeve të fundit të qeverisë lidhur me zbatimin e ligjeve për të huajt dhe për automjetet, duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti për lëshime që, sipas tyre, dëmtojnë sovranitetin e vendit. Në një komunikatë për media, PDK ka shprehur “shqetësim të thellë” për kompromiset e arritura së fundmi,…

Lajme

14/03/2026 14:17

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar ndaj vendimeve të fundit të qeverisë lidhur me zbatimin e ligjeve për të huajt dhe për automjetet, duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti për lëshime që, sipas tyre, dëmtojnë sovranitetin e vendit.

Në një komunikatë për media, PDK ka shprehur “shqetësim të thellë” për kompromiset e arritura së fundmi, transmeton lajmi.net.

“Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësim të thellë për kompromiset e fundit të kryeministrit Albin Kurti, përmes të cilave po cenohet drejtpërdrejt sovraniteti i Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.

Sipas kësaj partie, vendimet e fundit përbëjnë dy lëshime të rënda: lejimin e funksionimit të institucioneve ilegale të Serbisë në territorin e Kosovës dhe pranimin e dokumenteve të lëshuara nga Serbia për qytetarët e Kosovës.

“Me vendimet e fundit, Kurti ka bërë dy lëshime të rënda: ka lejuar funksionimin e institucioneve ilegale të Serbisë brenda territorit të Kosovës dhe ka legjitimuar dokumentet që Serbia i lëshon kundërligjshëm për qytetarët e Kosovës. Me pranimin e tyre, ai i ka bërë strukturat ilegale të Serbisë hisedare në zbatimin e legjislacionit të shtetit të Kosovës”, thuhet më tej në komunikatë.

PDK gjithashtu pretendon se negociatat janë zhvilluar pa transparencë dhe larg vëmendjes së opinionit publik.

“Këto vendime tregojnë se kryeministri Kurti ka zhvilluar negociata larg vëmendjes së opinionit publik, në mungesë të plotë transparence dhe në kohën kur po inskenohej kriza e radhës institucionale”, thuhet në reagim.

Në reagim përmendet edhe deklarimi i mëhershëm i Kurtit në World Economic Forum Annual Meeting in Davos, ku kishte thënë se në Kosovë nuk ekzistojnë më struktura paralele.

“Ironikisht, vetëm pak javë më parë në Davos ai deklaronte para botës se strukturat paralele nuk ekzistojnë më. Ndërsa tani, përmes kompromisit të tij politik, po u jep atyre një legjitimitet të ri”, thekson PDK.

Partia opozitare vlerëson se këto zhvillime lidhen edhe me marrëveshjet e arritura në dialogun me Serbinë.

“Këto lëshime janë vazhdim i logjikës së rrezikshme të Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të pranuara nga Kurti pa transparencë dhe pa debat institucional”, thuhet në komunikatë.

Në fund, PDK ka bërë thirrje që ligjet e Kosovës të zbatohen njësoj për të gjithë dhe që strukturat ilegale të mbyllen.

“Ligjet e Republikës së Kosovës duhet të zbatohen plotësisht dhe njësoj për të gjithë, ndërsa çdo strukturë ilegale që vepron jashtë sistemit shtetëror duhet të mbyllet”, thuhet në reagim.

Komunikata e plotë: 

Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësim të thellë për kompromiset e fundit të kryeministrit Albin Kurti, përmes të cilave po cenohet drejtpërdrejt sovraniteti i Republikës së Kosovës.

Me vendimet e fundit, Kurti ka bërë dy lëshime të rënda: ka lejuar funksionimin e institucioneve ilegale të Serbisë brenda territorit të Kosovës dhe ka legjitimuar dokumentet që Serbia i lëshon kundërligjshëm për qytetarët e Kosovës. Me pranimin e tyre, ai i ka bërë strukturat ilegale të Serbisë hisedare në zbatimin e legjislacionit të shtetit të Kosovës.

Këto vendime tregojnë se kryeministri Kurti ka zhvilluar negociata larg vëmendjes së opinionit publik, në mungesë të plotë transparence dhe në kohën kur po inskenohej kriza e radhës institucionale, me të cilat ai dhe partia në pushtet po e dëmtojnë funksionalitetin e Republikës së Kosovës.

Për vite me radhë, Kurti deklaronte se në Kosovë nuk ekzistojnë më struktura paralele të Serbisë, ndërkohë që me vendimet e tij po e pranon publikisht ekzistencën e tyre dhe po krijon kushte për vazhdimin e funksionimit të tyre.

Ironikisht, vetëm pak javë më parë në Davos ai deklaronte para botës se strukturat paralele nuk ekzistojnë më. Ndërsa tani, përmes kompromisit të tij politik, po u jep atyre një legjitimitet të ri.

Këto lëshime janë vazhdim i logjikës së rrezikshme të Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të pranuara nga Kurti pa transparencë dhe pa debat institucional, të cilat tashmë po prodhojnë pasoja konkrete në terren në dëm të interesit shtetëror të Kosovës.

Ligjet e Republikës së Kosovës duhet të zbatohen plotësisht dhe njësoj për të gjithë, ndërsa çdo strukturë ilegale që vepron jashtë sistemit shtetëror duhet të mbyllet.

Partia Demokratike e Kosovës i bën thirrje Qeverisë Kurti që të ndërpresë menjëherë politikat e dëmshme që po prodhojnë konfuzion institucional dhe po e fuqizojnë narrativën e Serbisë ndaj Kosovës./lajmi.net/