PDK merr takat

Mbi 60 intelektualë të rinj kanë aderuar në Partinë Demokratike të Kosovës. Kadri Veseli dhe Blerand Stavileci i pritën ata. Këtë aderim e konsideruan si bashkim i trurit të kombit me këtë parti.

Lajme

13/10/2013 13:10

Partia Demokratike e Kosovës ka injektuar qelizat e trurit brenda strukturave të saj, të dielën, kur ka pritur aderimin e mbi 60 intelektualëve të rinj, akademikë, doktor shkencash, magjistra e kandidatë për doktoraturë.

Zëdhënësi i kësaj partie Blerand Stavileci ka prezantuar kandidatët dhe profilet e tyre.

“Sot, PDK’së i bashkohet një numër shumë i madh i njerëzve, profileve eminente të botës akademike, njerëz me përvojë, me bagazh profesional dhe akademik, e me tituj shkencorë”.

“Janë mbi 60 akademikë, doktorë shkencash, magjistra shkencash, kandidatë për doktoraturë, të cilët i janë bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës”.

Nënkryetari i PDK’së, Kadri Veseli, ndërkaq, e ka cilësuar aderimin e intelektualëve si fuqizim të partisë.

“Nuk ka gjë më të veçantë për një parti politike sesa kur i bashkohet truri i kombit”, ka thënë Veseli.

“Ky aderim i jashtëzakonshëm i 14 doktorëve shkencash, i 6 kandidatëve për doktorë shkence, dhe mbi 40 magjistrave, vërtet është një fuqizim, është një falënderim për angazhimin dhe punën e Partisë Demokratike të Kosovës”.

“Me një fuqi të tillë intelektuale dhe përkrahje popullore, ne si familja më e madhe politike në Kosovë, do të fillojmë rrugëtimin e mbarë drejt transformimeve nacionale dhe rrugës sonë deri tek integrimet europiane”.