PDK e gatshme për seancën e së premtes (video)

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci ka thënë se partia e tij është e gatshme të marrë pjesë në seancën Konstituive të Kuvendit të Kosovës, që pritet të mbahet të premten.

Lajme

11/09/2014 14:41

Ai tha se, si pasojë e kërkesës së bërë nga Lista Serbe për shtyrje të seancës, kryesuesja Flora Brovina do të takojë sot pasdite të gjithë përfaqësuesit e partive, për t’u konsultuar lidhur me mundësinë e shtyrjes.

“Ne kemi pasur takim me grupin parlamentar të PDK-së. Kemi bërë përgatitjet e fundit për seancën e nesërme, mirëpo në ndërkohë kemi marrë një ftesë apo njoftim se Lista Serbe ka bërë një kërkesë për shtyrjen e seancës deri në javën e ardhshme”.

“Në orën 15 e 30, kryesuesja ka caktuar një takim konsultativ me përfaqësuesit e partive politike, ku do të vendoset se kur do të mbahet a do të shtyhet apo jo seanca e nesërme”.

“Ne jemi përgatitur që nesër të dalim sa më të përgatitur në seancë dhe seanca të përfundoj suksesshëm ashtu siç pritet”.

“Jam shumë i sigurt që bashkërisht do ta gjejmë zgjidhjen më të mirë të mundshme me deputetët e Kosovës”.

“Unë nuk dua fare të mendoj se nuk do ta gjejmë zgjidhjen sepse jemi të thirrur për të gjetur zgjidhje dhe jo për të bllokuar. Prandaj, ne do të gjejmë zgjidhjen më të mirë të mundshme që shkon në interes të qytetarëve të Kosovës dhe ajo është vetëm një, zhbllokimi i situatës, kompensimi i kohës së humbur sepse edhe ashtu ne kemi humb kohë shumë”.

Grabovci tha se PDK nuk pajtohet me mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por, sipas tij, kjo parti është e gatshme të marrë pjesë, kurdo që mbahen ato.

“Ne asnjëherë nuk iu kemi frikësuar votës apo vlerësimit të qytetarëve. Ju e dini, kemi pas kërkesë nga partitë opozitare që të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Ne ua kemi plotësuar këtë dëshirë sepse nuk iu kemi frikësuar qytetarëve”.

“Ne jemi të gatshëm të dalim para qytetarëve sepse kemi besim tek qytetarët”.