Pasuesja e Arben Vitisë s’thotë asgjë të re: Masat janë duke u shqyrtuar

Ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, ka deklaruar se masat anti-COVID janë duke u shqyrtuar, por që nuk ka dhënë detaje se kur do të ketë vendim për lehtësim të tyre.

Lajme

22/10/2021 17:12

Ajo pasi ka vizituar ekipet mobile të vaksinimit në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë, tha se i vetmi sukses për të parandaluar dhe për të mbajtur nënkontroll pandeminë është vaksinimi.

“Edhe pse jemi në një situatë stabile epidemiologjike në vendin tonë, megjithatë prania e variantit delta e cila është e konfirmuar në të gjitha mostrat të cilat janë dërguar për sekonsionim gjenetik mbetet me 100 përqind dominim varianti delta. Kështu që për të parandaluar dhe për të mbajtur nënkontroll përhapjen e COVID-19 në vend rritja e shkallës së vaksinimit e kombinuar me masat parandaluese janë i vetmi sukses që mund ta arrijmë. Sigurisht që masat janë duke u shqyrtuar dhe së shpejti do të informoheni, të gjitha masat propozohen në qeveri nga Ministria e Shëndetësisë pas diskutimeve që i kemi me ekspertët shëndetësor dhe me hisedarët tjerë të cilët janë të përfshirë. Gjithmonë duke e gjetur ekuilibrin më të mirë në mes të shëndetit publik po edhe shëndetit social dhe sektorit të ekonomisë”, tha ajo.

E pyetur se a po e shtyhet vendimmarrja për masat anti-COVID për shkak se në vend do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, ajo tha se do të vazhdojnë masat e njëjta ku grumbullimet do të jenë me numër të kufizuar të personave.

“Sigurisht që masat e përgjithshme janë të njëjta në mbarë botën, por secili vend e ka të drejtën të shqyrtojë dhe t’i përshtat ato brenda situatës të cilën e ka në vend. Ne jemi në fushatë zgjedhore, kemi qenë më përpara, tash do të vazhdohet edhe në 21 komuna, do të thotë më shumë se gjysma e Kosovës prapë është në fushatë zgjedhore, do të vazhdojnë masat e njëjta ku grumbullimet do të jenë me numër të kufizuar të personave. Por, më e rëndësishmja është që sa më shumë që vaksinohemi aq më të lirë do të jemi dhe mundësia për të shijuar jetën si më herët do të jetë shumë më e madhe”, tha ajo.

Komunat e Kosovës pas rënies së numrit të rasteve të reja me COVID-19 kanë kërkuar largimin e orës policore, shtimin e orarit të punës për gastronominë dhe heqjen e masës për bartje të maskës kur personi është i vetëm. /Lajmi.net/