Pasiguri dhe rënie si rrjedhojë e pandemisë, ministrja Bajrami jep detaje për buxhetin e vitit 2021

Në qeverinë e Kosovës po mbahet mbledhja e radhës ku pritet të votohet buxheti për vitin 2021.

Lajme

30/10/2020 09:06

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka dhënë detaje për ndarjet buxhetore që pritet të bëhen për vitin e ardhshëm, shkruan lajmi.net.

Ajo ka thënë se 182 milionë euro janë të destinuara për rimëkëmbje ekonomike, teksa një pjesë e madhe e tyre do të ndahen për sektorin e shëndetësisë.

“182 milionë euro për rimëkëmbje ekonomike, një pjesë e madhe për pjesën e shëndetësisë”, tha ajo.

“Mendoj që kemi bërë të më të mirën për një projekt-buxhet, duke shpresuar gjithnjë që pandemia të përfundojë së shpejti. Nuk kemi arritur të adresojmë të gjitha kërkesat linjës dhe organizatës buxhetore. Ky dokument synon adresimin kryesor të problematikave të pandemisë dhe rimëkëmbjes ekonomike”, tha ajo.

Ajo tha se deri në fund të këtij viti, ekonomia do të tkurret për 6.7 %.

“Deri në fund të vitit ekonomia pritet të tkurret për 6.7 %. Kjo për shkak të masave tjera. Gjatë vitit 2021, ekonomia pritet të rritet me 5.3, mirëpo parashikimet janë të pasigurta. Kontributi kryesor pritet të jetë nga ai i eksporteve të shërbimeve. Sa më shumë të zgjasë periudha e izolimit, aq më të pakta janë gjasat për rritje të ekonomisë”, tha Bajrami.

Pas pak, buxheti do të hidhet në votim. /Lajmi.net/