Pasi PDK largohet nga Komisioni për AKI-në, Berisha: Kuvendi duhet të dalë nga ngërçi, nuk mund të presim që të tjerët të na sjellin zgjidhjen

Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Bekë Berisha, ka bërë thirrje për komunikim dhe bashkëpunim ndërmjet deputetëve, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për situatën politike në vend. Berisha tha se Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së ka zhvilluar punimet me kuorum, pavarësisht mungesës së një anëtari nga Lista…

Lajme

01/10/2026 10:41

Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Bekë Berisha, ka bërë thirrje për komunikim dhe bashkëpunim ndërmjet deputetëve, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për situatën politike në vend.

Berisha tha se Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së ka zhvilluar punimet me kuorum, pavarësisht mungesës së një anëtari nga Lista Serbe.

“Ishim në Komision për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, kuorum kishte në mungesë të një personi nga Lista Serbe. Edhe do të vazhdojmë punën”, tha Berisha.

Ai theksoi se situata politike nuk është çështje e vetëm një partie dhe u bëri thirrje të gjithë deputetëve që të kontribuojnë në funksionalizimin e institucioneve.

“Kjo çështje nuk është veç e një partie, është e të gjithëve. I kisha lutë të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës me dhanë kontributin e vet, më së pari që ne të stabilizohemi e të kemi komisione të rregullta, po edhe të kemi parlament e të mund të debatojmë”, u shpreh ai.

Berisha paralajmëroi se vendi ndodhet përballë një afati të shkurtër kohor dhe tha se mungesa e komunikimit mund ta çojë Kosovën sërish drejt zgjedhjeve.

“Duhet me ditë që jemi me afat edhe 4-5 ditë, domethënë kemi mandat nëse nuk shkojmë në zgjedhje. Sikur jemi mësu, jemi që tri herë tu shku në zgjedhje, ka mundësi që shkojmë prapë për shkak të moskomunikimit të mirëfilltë, për shkak të mosinteresimit”, tha ai.

Sipas tij, deputetët duhet ta marrin përgjegjësinë për të gjetur një rrugëdalje nga ngërçi politik.

“Kosova më nuk është e njëjtë prej datës 16, prej asaj që ka ndodhë. Nuk ka të bëjë këtu as veç me një organizatë, as me katër ose me gjashtë individë, ka të bëjë me fatin e Kosovës”, deklaroi Berisha.

Ai tha se zgjidhja duhet të gjendet brenda institucioneve të Kosovës dhe se nuk duhet pritur ndërhyrje nga jashtë.

“Tash na duhet me marrë rolin deputetët e Kuvendit të Kosovës, sepse nuk ka nevojë me ardhur kush. Askush sot nuk u mor me çështjet tona. Kjo është gjendje e rëndë”, tha Berisha.

Në fund, ai u bëri thirrje partive politike që të ulen dhe të komunikojnë me njëra-tjetrën.

“I kisha lutë me ardhur me komunikuar ndërveti, me pa sinqeritet më së pari, po edhe atdhedashuri, se kjo është e para, edhe nuk ka problem që nuk mundemi me zgjidhë bashkë”, përfundoi Berisha.