Pasi Grenell mori postin e spiunit, Trump po kërkon ambasador të ri për në Gjermani

Presidenti Donald Trump tha të dielën se po kërkon një ambasador të ri në Gjermani, pasi emëroi diplomatin aktual Richard Grenell për të shërbyer si ushtrues detyre i shefit të inteligjencës amerikane.

Lajme

23/02/2020 18:25

“Unë do të emëroj një ambasador në Gjermani”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë para se të nisej për një udhëtim në Indi, shkruan Reuters.

Një zyrtar i lartë i administratës i tha Reuters javës së kaluar se Grenell do të mbetej si ambasador edhe pasi ai mori detyrën e drejtorit të inteligjencës kombëtare, transmeton lajmi.net.

Është e paqartë se sa kohë do të shërbejë Grenell si zyrtari i lartë i inteligjencës. Trump tha, të dielën, se po konsideron pesë kandidatë që të merrnin rolin në mënyrë të përhershme.

“Në një pikë të caktuar në të ardhmen jo shumë të largët, ne do të njoftojmë se kush janë ata,” tha Trump.

Lexo edhe:

Zyra e Grenellit për lajmi.net: SHBA mbetet 100 për qind e përkushtuar për dialogun Kosovë-Serbi

Ndryshe, Grenell është i dërguari special i presidentit amerikan, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi. Mirëpo, pavarësisht këtij emërimi, Grenell do të vazhdojë të mbetet i dërguari special i presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi.

Këtë e ka konfirmuar të enjten e javës së kaluar për lajmi.net, Dick Custin, zëdhënës i ambasadorit, Grenell.

“Mund ta konfirmoj se ambasadori Grenell do vazhdojë të shërbejë si ambasador në Gjermani, i dërguari special i Presidentit për Negociatat paqëdore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe njëherësh tash e tutje do të jetë edhe Ushtrues i detyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare”, ka thënë Custin për lajmi.net.

Kujtojmë, se Grenell po e zëvendëson Joseph Maguire, i cili ka shërbyer si Drejtor në detyrë i Inteligjencës Kombëtare që nga dorëheqja e Dan Coats, një ish senator republikan nga Indiana.

Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare shërben si mbikqyrëse e Komunitetit të Shërbimeve të Inteligjencës që përbëhet nga 16 agjenci të ndryshme zbulimi, më e njohura prej të cilave është CIA.

Kjo zyrë u krijua pas sulmeve të 11 Shtatorit 2001, për të bashkërenduar punën e agjencive të zbulimit. /Lajmi.net/