Pas vdekjes së deputetes Cox, dy sondazhe favorizojnë qëndrimin në BE

Sondazhi i parë, i zhvilluar menjëherë pas vrasjes së deputetes laburiste, Jo Cox nga një ekstremist i së djathtës, tregoi rritje të numrit të qytetarëve britanikë, të cilët kërkojnë që vendi i tyre të qëndrojë në Bashkimin Evropian, vetëm katër ditë nga referendumi për çështjen Brexit.

Bota

19/06/2016 14:05

Instituti “Survation” tha se në sondazhin e tij numri i qytetarëve për qëndrimin e vendit në BE ishte rritur në 45 për qind, krahasuar me numrin e qytetarëve që kërkojnë të kundërtën, që ka arritur në 42 për qind.

Ndërkohë, sipas grupit mediatik “Sky”, në të gjitha sondazhet, qëndrimi në BE, në rënie para vrasjes së deputetes Cox, tani ka arritur të ngjitet dhe të arrijë në raportin 45/44 për qind në favor të qëndrimit.

Po kështu, edhe sipas sondazhit të “Yougov”, kryer për llogari të gazetës “Sunday Times”, publikuar pas vdekjes së deputetes Cox, numri i qytetarëve në favor të qëndrimit të Britanisë së Madhe në BE ka kaluar atë të kundërshtarëve duke arritur në raportin 44/43 për qind. /ANSA/