Pas ndalimit të mbi 100 tonëve mish në Mal të Zi, Muja njofton për operacion të madh inspektimi në Kosovë
Pas ndalimit të rreth 103 tonëve mish me afat të skaduar në Mal të Zi të cilët ishin të destinuar për Kosovë, Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, ka thënë për Ekonomia Online se po realizohet një nga operacionet më të mëdha të inspektimit të mishit në vend. Ai ka bërë të ditur se për këtë…
Lajme
Pas ndalimit të rreth 103 tonëve mish me afat të skaduar në Mal të Zi të cilët ishin të destinuar për Kosovë, Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, ka thënë për Ekonomia Online se po realizohet një nga operacionet më të mëdha të inspektimit të mishit në vend.
Ai ka bërë të ditur se për këtë çështje kanë qenë në kontakt me autoritetet e Malit të Zi, ndërsa ka paralajmëruar se javën e ardhshme do të zhvillohet edhe një vizitë për të diskutuar këtë rast dhe çështje të tjera.
“Dua t’ju informoj se meqenëse jemi pranë përfundimit të procesit të kontrollit zyrtar, Kosova dhe Agjencia e Ushqimit janë duke realizuar një nga operacionet më të mëdha të inspektimit të mishit ndonjëherë në Republikën e Kosovës. Ne kemi qenë në kontakt me autoritetet e Malit të Zi. Javën tjetër do të kemi edhe një vizitë lidhur pikërisht me këtë çështje dhe çështje të tjera. Ju siguroj se të gjitha masat janë marrë dhe do të merren në rast se shkelet ndonjë dispozitë ligjore. Ju siguroj për përpjekjet e mia personale dhe të ministrisë në trajtimin e çdo çështjeje, veçanërisht në sektorin e mishit. Sa herë që Agjencia e Ushqimit konstaton ndonjë parregullsi, ju betohem se, pas përfundimit të formaliteteve procedurale, do të komunikohet dhe do të informohet edhe publiku, ashtu siç do të informoheni edhe ju. Por jemi duke u marrë me këtë çështje”, tha Muja.
Ky reagim i Mujës vjen pasi gjatë muajit shtator një sasi prej 24 tonësh mish viçi të ngrirë me afat të skaduar dhe me origjinë nga Brazili, e destinuar për kompaninë kosovare “Apetit SHPK”, ishte bllokuar nga autoritetet e Malit të Zi në Portin e Tivarit.
Po ashtu, më herët autoritetet malazeze kishin ndaluar edhe tre kontejnerë të tjerë me mish viçi, me peshë të përgjithshme prej 77 tonësh. Në total, bëhej fjalë për rreth 102 tonë mish me afat të skaduar.
Sipas gazetës malazeze Vijesti, mishi ishte nisur drejt Kosovës, ndërsa gjatë kontrollit në port ishte konstatuar se afati i përdorimit kishte skaduar.
Dogana e Malit të Zi kishte njoftuar gjithashtu se punëtorët e kompanisë nga Kosova ishin angazhuar për t’i ndërruar etiketat që tregonin afatin e skaduar të mishit, në Portin e Tivarit.