Pas izolimit total 76-ditor, çiftet në Wuhan organizojnë dasma

Në Wuhan kërkesat për martesa janë rritur për 300 për qind.

Fun

09/04/2020 11:47

Banorët e qytetit Wuhan në provincën kineze Hubei, ku ishte shfaqur rasti i parë me COVID-19 dhe që për 76 ditë qëndroi i mbyllur plotësisht, kanë filluar t’i rikthehen jetës së dikurshme – e çiftet që kanë mbajtur të fuqishme lidhjet e tyre gjatë pandemisë së coronavirusit, po planifikojnë tani të martohen duke marrë parasysh se autoritet tashmë e kanë rihapur qytetin me botën e jashtme.

Sipas të dhënave zyrtare, kërkesat për martesa janë rritur për 300 për qind në raport me të njëjtën periudhë kohore gjatë vitit të kaluar, dëshmi kjo se të rinjtë kinezë duan ta kurorëzojnë dashurinë pas shumë ditëve në izolim dhe vetmi, raporton CNN.

Autoritetet në Wuhan edhe zyrtarisht gjatë javës së kaluar kanë rihapur objektin e komunës duke rikthyer në punë edhe stafin – duke filluar prej atyre që merren me lëshimin e certifikove e deri te ata që kurorëzojnë të rinjtë, transmeton Telegrafi.

Megjithatë, ekspertët e kësaj fushe parashikojnë se pas një kohe të gjatë izolimi, pritet të ketë edhe rritje të përqindjes së rasteve të shkurorëzimeve, pasi që tashmë është raportuar kudo nëpër botë për dhunë në familje gjatë kohës së izolimit nga pandemia e COVID-19 dhe kjo ka bërë që kërkesat për shkurorëzim të rriten.