Netanyahu i gatshëm t’ia lërë fillimisht postin e kryeministrit Gadi Eisenkotit për t’i dhënë fund krizës politike

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka shprehur gatishmërinë që lideri i partisë Yashar, Gadi Eisenkot, të marrë fillimisht drejtimin e qeverisë, në kuadër të një marrëveshjeje për ndarjen e pushtetit, me synimin për t’i dhënë fund ngërçit politik në Izrael. Në një deklaratë publike të shtunën, Netanyahu tha se, si udhëheqës i partisë më të madhe,…

Lajme

28/11/2026 19:45

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka shprehur gatishmërinë që lideri i partisë Yashar, Gadi Eisenkot, të marrë fillimisht drejtimin e qeverisë, në kuadër të një marrëveshjeje për ndarjen e pushtetit, me synimin për t’i dhënë fund ngërçit politik në Izrael.

Në një deklaratë publike të shtunën, Netanyahu tha se, si udhëheqës i partisë më të madhe, sipas tij, do të duhej të ishte ai që do ta drejtonte qeverinë e unitetit kombëtar. Megjithatë, ai theksoi se është i gatshëm të heqë dorë nga ky parim për hir të interesit të vendit, transmeton lajmi.net.

Netanyahu argumentoi se serioziteti i kërcënimeve me të cilat përballet Izraeli kërkon formimin e një qeverie të aftë për t’u përballur me situatën, duke theksuar se përgjegjësia e tij politike e obligon të bëjë kompromise.

Ai bëri të ditur se është pajtuar që Gadi Eisenkot të jetë kryeministër në fazën e parë të mandatit, ndërsa vetë Netanyahu të marrë detyrat e kryeministrit në detyrë dhe zëvendëskryeministrit.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, Netanyahu pret që ky propozim të shërbejë si pikënisje për negociata serioze dhe të shpejta mes palëve.

Ai kërkoi që edhe pala tjetër të tregojë gatishmëri për kompromise dhe lëshime, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për krijimin e qeverisë së unitetit kombëtar.

Netanyahu tha se objektivi kryesor është formimi i një qeverie që mund të përballet me kërcënimet dhe të sigurojë stabilitetin, sigurinë dhe të ardhmen e Izraelit./lajmi.net/