Pas gati 10 viteve, Lukaku shënoi golin e parë me fanellën e Chelseas

Romelu Lukaku u rikthye tek Chelsea pas 7 viteve, duke u transferuar tek klubi londinez nga Inter për shumën e 115 milion eurove.

Sport

23/08/2021 08:56

Ndeshja e parë e sezonit erdhi shumë herët për belgun pasi nuk mund të kompletonte transferimin e tij në kohë, megjithatë ai debutoi në ndeshjen e dytë të sezonit të ri në ndeshjen e djeshme ndaj rivalit lokal, Arsenal.

28-vjeçari për më tepër arriti të realizonte gol, duke e hapur sfidën në minutën e 15-të të ndeshjes në fitoren 2-0 të skuadrës së tij.

Lukaku në fakt shënoi golin e tij të parë me fanellën e Chelseas në paraqitjen e tij të 16-të me klubin, pas 9 vite e 365 ditëve pasi kishte bërë debutimin me blutë në gusht 2011.

Belgu shënoi golin e tij të 114-të në total në Premierligë, duke e tejkaluar Ian Wright për tu bërë golashënuesi i 20-të më i mirë në histori të kompeticionit.

Ai gjithashtu u bë lojtari i huaj (jo anglez) i 8-të që shënon 50+ gola si vendas dhe si mysafir në kompeticion.

Duket se Lukaku nuk do të ketë fare problem ambientimin tek Chelsea pas eksperiencës disa vjeçare që e kishte pasur në të kaluarën në ligën Premierë. /Lajmi.net