Pas bisedimeve me PDK-në, LVV nesër mbledh Këshillin e Përgjithshëm për çështjen e Presidentit, a po shkon vendi drejt zgjedhjeve të reja?
Lëvizja Vetëvendosje do të mbajë nesër (ora 12:00) mbledhjen e LXII-të të Këshillit të Përgjithshëm, ku pritet të diskutohet edhe procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri të Kosovës. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i LVV-së dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me kreun e Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza,…
Lajme
Lëvizja Vetëvendosje do të mbajë nesër (ora 12:00) mbledhjen e LXII-të të Këshillit të Përgjithshëm, ku pritet të diskutohet edhe procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri të Kosovës.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i LVV-së dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me kreun e Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, transmeton lajmi.net.
Kurti konfirmoi se në takimin me Hamzën nuk është arritur marrëveshje për emrin e Presidentit, duke theksuar se në mungesë të një propozimi konsensual, partitë do të dalin me kandidatë të veçantë.
“Shpresoj që të kemi një garë ku emrat të dihen sa më shpejt, por tash për tash ky nuk është rasti. Kur s’ka mundësi për marrëveshje politike a propozim konsensual, atëherë do të kemi propozime partiake që do të merren vesh shpejt, por emrat e përveçëm”, u shpreh Kurti.
Ai shtoi se LVV ende nuk ka një emër konkret për President.
“Ne nuk jemi përcaktuar për emër të veçantë. LVV është subjekti më i madhi në Kosovën e pasluftës dhe besoj që nuk është vështirësia aty (te emri), por te hapat që na presin në vijim. Uroj në një garë demokratike e të hapur, dhe sa më parë ta kalojmë këtë sfidë”, deklaroi ai.
Nga ana tjetër, Hamza ka bërë të ditur se PDK ka ofruar një “mundësi konkrete dhe të fundit” për të shmangur zgjedhjet e reja, duke propozuar që Presidenti të zgjidhet nga radhët e kësaj partie. Ai ka theksuar se përgjegjësia për sigurimin e votave bie mbi shumicën parlamentare.
Sipas afateve kushtetuese, Kuvendi i Kosovës duhet ta zgjedhë Presidentin jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentes aktuale, Vjosa Osmani, i cili përfundon më 4 prill 2026. Afati i fundit për zgjedhje është 4 mars.
Një kandidat për President duhet të sigurojë të paktën 30 nënshkrime të deputetëve për të garuar. Në dy rundet e para kërkohen 80 vota (dy të tretat e deputetëve), ndërsa në rundin e tretë mjaftojnë 61 vota. Dështimi për zgjedhjen e Presidentit do ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Mbledhja e nesërme e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së pritet të jetë vendimtare për hapat e mëtejmë të partisë në këtë proces./lajmi.net/