Pas AAK-së, edhe Nisma bojkoton Kuvendin

Nisma për Kosovën ka kërkuar që të gjithë mekanizmat shtetëror të Kosovës të angazhohen në mbrojtjen e liderit të AAK-së Ramush Haradinaj. Nisma bënë të ditur se do ta bojkotojë punën e Kuvendit.

Lajme

02/03/2017 15:30

“Zhvillimet e ditës së sotme në rastin e Ramush Haradinajt dëshmuan se shteti i Serbisë i ka angazhuar të gjitha mekanizmat shtetëror në funksion të arritjes së qëllimit të tyre, që gjykata të besojë në shpifjet e tyre. Prandaj, para shtetit të Kosovës, si detyrë mbi të gjitha detyrat, shtrohet nevoja e angazhimit të të gjitha potencialeve shtetërore për t’i dalë përballë kësaj tendence të Serbisë”, thuhet në një komunikatë për media të Nismës, transmeton Lajmi.net

Madje, sipas këtij subjekti politik shteti i Kosovës menjëherë  duhet ta shpallë  rastin Haradinaj si çështje të interesit të lartë shtetëror dhe konform kësaj të ndërmerr veprimet e nevojshme.

“Në kuadër të angazhimeve shtetërore, duhet të përfshihen të gjitha institucionet e shtetit, sepse Serbia përmes luftës kundër  Ramush Haradinajt ka për synim të godasë Kosovën, prandaj Kosova nuk guxon më ta lërë Ramushin vet në këtë përballje me Serbinë. Në kuadër të kësaj, Nisma kërkon që Parlamenti i Kosovës të ndërpresë mbajtjen e seancave deri në lirimin e Ramush Haradinajt”, thuhet më tej në komunikatën e Nismës.

Në fund, subjekti më i vogël opozitar në Kuvend ka bërë të ditur se do t’i bojkotojë seancat e Kuvendit, me përjashtim të asaj kur demarkacioni do të jetë në rend dite.

“Nëse kjo nuk do të ndodhë, Nisma për Kosovën në shenjë proteste, do t’i bojkotojë punimet e Kuvendit të Kosovës. Përjashtim do të bëjë vetëm  seanca për demarkacionin sepse këtë çështje e konsiderojmë po ashtu si një nga çështjet e interesit të lartë shtetëror. Prandaj, deputetët e Nismës e kanë për detyrë të shkojnë në Kuvend për t’i shpalosur të gjitha faktet se ky version i demarkacionit është i gabuar, dhe si i tillë i pa pranueshëm prandaj edhe duhet rrëzuar nga deputetët e Kuvendit  të Kosovës”, përfundon komunikata e Nismës. /Lajmi.net/