Partia e tij doli e treta me vota, por e fitoi veç një mandat – Lapaj kërkon që sistemi zgjedhor në Shqipëri të bëhet si ai në Kosovë
Me procesin e numërimit të votave që po shkon drejt fundit, ku tanimë vëmendja është përqendruar tek zarfet e Disaporës, kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, përmes një postimi në Facebook ka shprehur falënderimin për qytetarët që i besuan më 11 maj. Lapaj shprehet se forca e tij politike edhe pse ekziston si e…

Lajme
Me procesin e numërimit të votave që po shkon drejt fundit, ku tanimë vëmendja është përqendruar tek zarfet e Disaporës, kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, përmes një postimi në Facebook ka shprehur falënderimin për qytetarët që i besuan më 11 maj.
Lapaj shprehet se forca e tij politike edhe pse ekziston si e tillë vetëm prej 8 muajsh, ia doli që të sigurojë mjaftueshëm vota, sa për t’u renditur forcë e tretë politike.
“Lëvizja Shqipëria Bëhet u kthye në parti politike në dt. 30 shtator 2024. Për 8 muaj, me gjithë vështirësitë që ju i dini i’a dolëm të renditemi forcë e 3 politike në vend (përballë atyre që kërcënojnë, blejnë dhe vjedhin votë). Faleminderit secilit që na besoi me votë!”, shkruan ai.
Lapaj ndalet sakaq te ligji elektoral, që sipas tij i dëmton partitë e vogla dhe këtë e provon me diferencën në shifra.
Duke iu referuar numrit të votave që i është dashur Partisë Socialiste, fituese të zgjedhjeve, dhe lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, për të siguruar një mandat deputeti, Lapaj bën thirrje për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe përafrimin e tij me sistemin e aplikuar në Kosovë.
“Sistemi elektoral u dëshmua para të gjithëve si i padrejtë. PS e nxori 1 mandat me afro 10 000 vota, ndërsa koalicioni ynë me afro 63 000 (deri tani). PS ka marrë vota sa për 73 mandate, por ligji elektoral i padrejtë i ka dhënë 83. Koalicioni ynë duhet të kishte të paktën 6 mandate. Duhet ndryshuar ligji elektoral. Shikoni modelin e Kosovës, proporcional kombëtar me lista të hapura”, nënvizon Lapaj.
Në fund, ai shprehet se Lëvizja “Shqipëria Bëhet” është e hapur për këdo beson te vlerat, ndaj i fton ata person që t’i bashkohen. “Nuk ka kthim pas!”, thekson Lapaj.