Paralajmërimi i KRU “Prishtina”: Kush nuk nënshkruan kontratën rrezikojnë ndërprerjen e furnizimit me ujë
Zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Prishtina, Arjeta Mjeku, ka paralajmëruar pasoja për konsumatorët që nuk e nënshkruajnë kontratën me kompaninë. Ajo ka bërë me dije se ata që nuk e nënshkruajnë kontratën brenda 10 dite që u dorëzohet ata do të shkyçen në mënyrë automatike. “Konsumatori i cili e refuzon ta nënshkruajë kontratën, duhet…
Lajme
Zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Prishtina, Arjeta Mjeku, ka paralajmëruar pasoja për konsumatorët që nuk e nënshkruajnë kontratën me kompaninë.
Ajo ka bërë me dije se ata që nuk e nënshkruajnë kontratën brenda 10 dite që u dorëzohet ata do të shkyçen në mënyrë automatike.
“Konsumatori i cili e refuzon ta nënshkruajë kontratën, duhet të japë arsye se pse nuk po e nënshkruan kontratën. Në të kundërtën, ne keq ndoshta ta themi, por jemi të obliguar dhe të detyruar që në afat kohor prej 10 ditësh në momentin që u dorëzohet kontrata konsumatorit, nëse nuk e nënshkruan, ai automatikisht edhe e refuzon shërbimin nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina dhe në këtë mënyrë mund të shkyçet nga shërbimi i rrjetit të furnizimit me ujë”, ka thënë ajo për EO.
Duke dhënë sqarime për kontratën, ajo ka treguar se dokumenti në fjalë rregullon marrëdhëniet juridike ndërmjet palëve.
“Kontrata është shumë e qartë, pra rregullon marrëdhëniet juridike, gjegjësisht të drejtat dhe obligimet. Kontrata i përcakton pra kriteret dhe kushtet lidhur me ofrimin e shërbimeve dhe pagesën e konsumatorit ndaj ofrimit të shërbimeve. Po ashtu, ofruesi i shërbimeve i nënshtrohet rregullave të miratuara nga Autoriteti Rregullator për Shërbime të Ujit për kushtet e ofrimit të shërbimeve, caktimin e tarifave, procedurave për zgjidhjen e kontesteve si dhe çështjeve tjera të ndërlidhura me konsumatorin”, është shprehur ajo.