Parada e 14 korrikut në Francë, Shqipëria pjesë e ceremonisë me flamurin kuqezi
Franca po zhvillon paradën tradicionale ushtarake të 14 korrikut, Ditës Kombëtare të Francës, një nga ceremonitë më të rëndësishme dhe më simbolike të vendit. Në bulevardin e famshëm Champs-Élysées në Paris, mijëra qytetarë ndoqën nga afër marshimin e trupave ushtarake, në një shfaqje të fuqisë dhe historisë franceze. Një moment i veçantë i paradës ishte…
Lajme
Franca po zhvillon paradën tradicionale ushtarake të 14 korrikut, Ditës Kombëtare të Francës, një nga ceremonitë më të rëndësishme dhe më simbolike të vendit.
Në bulevardin e famshëm Champs-Élysées në Paris, mijëra qytetarë ndoqën nga afër marshimin e trupave ushtarake, në një shfaqje të fuqisë dhe historisë franceze.
Një moment i veçantë i paradës ishte pjesëmarrja e Shqipërisë.
Një kontigjent i ushtrisë shqiptare parakaloi në këtë ceremoni me flamurin kuq e zi, duke sjellë simbolin kombëtar shqiptar në një prej ngjarjeve më të mëdha publike të Francës.
Pamjet i ka shpërndarë kryeministri Edi Rama në rrjetin e tij social “Facebook”, ndërsa shkruan se është krenar për arritjet e Shqipërisë.
“Champs-Élysées, Paris – Parada e Madhe e 14 korriku. Krenar për Shqipërinë”, shkroi kryeministri.
Me ftesë të Presidentit Emmanuel Macron, Kryeministri i Shqipërisë po marrë pjesë në ceremoninë zyrtare me rastin e Festës Kombëtare të Francës.
Pjesëmarrja e grupit shqiptar u prit me vëmendje, ndërsa flamuri kuqezi u shfaq mes flamujve të vendeve të tjera pjesëmarrëse, duke shënuar një moment krenarie.
Parada e 14 korrikut përkujton fillimin e Revolucionit Francez dhe marrjen e Bastijës në vitin 1789. Çdo vit ajo shndërrohet në një ngjarje madhore ku marrin pjesë drejtuesit më të lartë të shtetit francez, përfaqësues ndërkombëtarë dhe mijëra qytetarë.