Papa zbret në Seul, Koreja e Veriut lëshon raketa

Koreja e Veriut (komuniste) ka lëshuar tri raketa me rreze të shkurtër drejt brigjeve lindore ditën e enjte, vetëm pak qaste pasi Papa Françesku mbërriti në Seul (kryeqytetin e Koresë Jugore), në vizitën e tij të parë në Azi, njoftuan burime brenda Ministrisë së Mbrojtjes në Korenë e Jugut.

Bota

14/08/2014 22:45

Raketat u lëshuan në qytetin-port të Wonsanit dhe përshkuan një distancë prej 220 kilometrash, para se të binin në ujërat lindore të gadishullit korean, deklaroi një zyrtar i kësaj ministrie. Raketa e fundit u lëshua 35 minuta përpara se Papa Françesku të zbriste në një bazë ajrore në Seul, ku Ati i Shenjtë nisi vizitën pesëditore në Korenë e Jugut, transmeton gazeta Shekulli online.

Lëshimet u bënë para një stërvitjeje ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, që parashikohet të nisë të hënën. Seuli dhe Washingtoni thonë se stërvitja do të jetë me natyrë mbrojtëse, por Koreja e Veriut proteston vazhdimisht ndaj këtyre manovrave, të cilat i sheh si parapërgatitje për luftë.

Koreja e Veriut ka lëshuar për herë të parë raketa të rrezes së shkurtër në fund të muajit korrik, por që atëherë ka reaguar duke thënë se këto veprime janë inskenuar në kundërpërgjigje të manovrave SHBA-Kore e Jugut.

Regjimi veri-korean i Kim-Jong-un, është nën ndikimin e sanksioneve të rënda të vendosura nga OKB dhe SHBA, në lidhje me programet bërthamore dhe raketat balistike. Raketat me rreze të shkurtër nuk shkelin kufizimet, por Feniani zyrtar ka ndryshuar stilin e propagandës gjatë muajve të fundit, duke përfshirë foto të liderit Kim Jong-un teksa po i mbikëqyrë nga afër lansimet e raketave.