Papa Françesku shprehet shumë i shqetësuar për situatën në Siri

Papa Françesku u ka bërë thirrje liderëve botërorë të rikthejnë përpjekjet për paqe në Siri, duke thënë se është thellësisht i shqetësuar për planet e dështura që mund t’i kishin dhënë fund përgjakjes.

Bota

15/04/2018 15:44

“U bëj thirrje sërish të gjithë liderëve politikë, që të mbizotërojë drejtësia dhe paqja”, ka thënë ai gjatë adresimit të tij javor.

“Jam thellësisht i shqetësuar për situatën aktuale në botë në të cilën pavarësisht mjeteve në dispozicion për komunitetin ndërkombëtar, është e vështirë të pajtohen të gjitha vendet në favor të paqes në Siri dhe rajone të tjera në botë”, ka thënë ai.

Të dielën e kaluar, Papa ka dënuar sulmin kimik në Siri, duke e cilësuar si pëdorim të pajustifikuar të “instrumenteve të shfarosjes”.

Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania kanë nisur dhjetëra raketa të shtunën në mëngjes drejt Sirisë, si përgjigje ndaj sulmit me armë kimike.

Ky hap është cilësuar intervenimi më i madh nga shtetet Perëndimore kundër Sirisë, e cila mbështetet nga Rusia dhe Irani./REL