Pantina: Ndryshimi i ligjit zgjedhor duhet të ndodhë gjashtë muaj para zgjedhjeve

Deputetja e Grupit të Deputetëve të Pavarur, Shqipe Pantina në emisionin “Përballje” ka thënë se kur flitet për reformën zgjedhore, flitet për dy rrafshe: e para nevoja për reformim të sistemit zgjedhor dhe e dyta nevoja për ndryshim dhe plotësim të rregullave aktuale për ti evidentuar disa të meta.

Lajme

05/05/2018 08:52

“Nuk rekomandohet që sistemi zgjedhor të ndryshojë shpesh. Në Kosovë ka nevojë për një sërë reformash tjera psh: reformat në sistemin e drejtësisë janë më të nevojshme sesa reformat zgjedhore”, u shpreh Pantina.

Pantina më tej ka theksuar se është e nevojshme të bëhet rishikimi i Ligjit zgjedhor.

“Është e domosdoshme ndryshimi i disa çështjeve që duhet të rregullohen me ligj psh: çështja e votimit me kusht, sepse votimi me kusht është karakteristik e vendeve postkonfliktuoze…”, tha Pantina.

Ajo ka treguar se ndryshimi në ligjet zgjedhore duhet të ndodh të paktën 6 muaj para datës së zgjedhjeve.

“Është një rekomandim i Komisionit të Venecias që thotë se nuk duhet të bëhet asnjë ndryshim në ligjet zgjedhore të paktën 6 muaj para datës së zgjedhjeve”, tha Pantina.