​Protesta në Tiranë, sulmohet selia e Partisë Socialiste

Selia e Partisë Socialiste është sulmuar sot gjatë protestës studentore e cila sot hyn në ditën e tretë, me bojkotimin e mësimit në gjimnaze dhe fakultete në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit. Policia e Shtetit i është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës, duke i shpërndarë protestuesit. Ngjarja vjen në një moment kur protesta…

Lajme

15/10/2026 14:29

Selia e Partisë Socialiste është sulmuar sot gjatë protestës studentore e cila sot hyn në ditën e tretë, me bojkotimin e mësimit në gjimnaze dhe fakultete në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit.

Policia e Shtetit i është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës, duke i shpërndarë protestuesit.

Ngjarja vjen në një moment kur protesta është shoqëruar me përplasje dhe akte dhune në disa zona të Tiranës.

Që në orët e para të ditës, nxënës dhe studentë i janë përgjigjur thirrjeve për protestë, ndërsa në kryeqytet ka nisur grumbullimi para Parlamentit.

Protesta vjen pas tensioneve të së mërkurës në Tiranë, ku u shënuan përplasje, zjarre dhe dëme materiale në rrugë, institucione e biznese.

Përveç Tiranës, bojkotimi i mësimit raportohet edhe në disa qytete të tjera të Shqipërisë. Gjimnazistë dhe studentë janë përfshirë në lëvizjen e protestës, në përgjigje të thirrjeve të shpërndara në rrjetet sociale.

Ndërkohë, deputetët kanë anuluar seancën plenare të parashikuar për këtë të enjte. Zhvillimi vjen në një ditë kur vëmendja politike dhe publike është përqendruar te protesta studentore dhe situata e krijuar në vend.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestës të së mërkurës, ku akuzoi opozitën se po përpiqet ta pengojë Shqipërinë në rrugën e saj drejt Evropës, duke theksuar se vendi nuk do të kthehet pas.