Pak pjesëmarrës në takim, Kurti thotë se u diskutua për zbatimin e masave për parandalimin e pandemisë

Pas takimit me Komitetin për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë COVID-19, kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, mbajti takim me disa nga kryetarët e komunave të Kosovës, për të diskutuar rëndësinë dhe angazhimin e gjithmbarshëm në përballje me pandeminë.

Lajme

31/08/2021 12:52

Kryeministri tha se masat kundër virusit COVID-19, të ndërmarra së fundmi nga qeveria janë të domosdoshme, por për të qenë të mjaftueshme në arritjen e qëllimit tonë, ato duhet të zbatohen në përpikëri.

Karakteristikat specifike të variantit Delta e bëjnë atë të fortë, të rrezikshëm dhe të paparashikueshëm, tha kryeministri Kurti. Ai theksoi se varianti Delta karakterizohet me një numër riprodhues jashtëzakonisht të lartë, sipas së cilit çdo person i infektuar me këtë variant, infekton mesatarisht shtatë persona të tjerë, ka interval serial jashtëzakonisht të shkurtër me ç’rast çdo person i infektuar mund të infektojë të tjerët mesatarisht 2.5 ditë pasi që është infektuar vetë dhe përhapet kryesisht nëpërmjet ngjarjeve super-shpërndarëse.

Prandaj nuk kemi hapësirë për të gabuar në zbatimin e masave, tha kryeministri Kurti dhe se mjaftueshmëria e masave të domosdoshme nuk varet vetëm nga Qeveria.

“Nevojitet bashkëpunim i ngushtë ndërmjet Qeverisë dhe komunave, sidomos në mes të Policisë, inspektorëve komunalë dhe inspektorëve të AUV-it”, tha kryeministri Kurti.

Derisa mjekët dhe infermierët shërojnë pasojat e virusit, parandalimi i tyre mbetet përgjegjësi e mekanizmave mbikëqyrës të zbatimit të masave kundër virusit, tha kryeministri.

Ai theksoi se përveç Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrisë së Shëndetësisë, të gjitha dikasteret e qeverisë janë në shërbim dhe funksion të këtij bashkëpunimi.

Në takim ishin të pranishëm kryetarët e 12 komunave të Kosovës, të cilët njoftuan për vështirësitë teknike që kanë në komunat e tyre në përballje me pandeminë.

Kryeministri Kurti tha se së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia do të jetë në komunikim të vazhdueshëm edhe me komunat e tjera që nuk ishin të pranishëm në takim.

Ndryshe, lajmi.net ka raportuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka ftuar sot në takim kryetarët e të gjitha komunave të vendit. Por, kundër pjesëmarrjes në këtë takim është shprehur Asociacioni i Komunave të Kosovës, Bordi i së cilës iu ka bërë thirrje kryetarëve të komunave që të refuzojnë ftesën nga kryeministri Kurti, pasi që ky i fundit i ka përjashtuar nga Komiteti për menaxhimin e pandemisë i cili u themelua nga Qeveria pas përkeqësimit të situatës me virusin COVID-19. Takimin e kanë refuzuar pjesa dërmuese e kryetarëve. /Lajmi.net/

Kjo është arsyeja pse disa kryetarë komunash nuk po i shkojnë në takim Kurtit