(Pa)dobia politike e Rexhep Qosjes

Shkruan: Ridvan Emini

Opinion

06/01/2020 20:36

Ditë më parë akademiku Rexhep Qosja kishte zgjedhur mediumet për t’i ‘sulmuar’ si nevojë për tu dukur diku se është ende gjallë meqë i është lakuar emri për President. Megjithatë, ai nuk e kishte gabim kur i referohej televizioneve që kishin përzgjedhur personalitetet e vitit e që të gjithë ishin nga skena politike; më i miri i vitit, më i dështuari e kështu diçka.

Televizionet natyrisht vetëm se e kanë rënduar shikuesin e tyre me ‘bajatllakun’ që ato ‘personalitete’ kishin sjellur gjatë vitit që lamë pas. Pra, nuk durohet prezenca e tyre edhe në ditët festive, nëse ‘të sillen ndër këmbë’ edhe gjatë festës atëherë durimi humbet meqë respektin e kanë humbur prej kohësh.

Klithma e z.Qosjes nuk është te përzgjedhja e politikanëve nga mediumet, por është mos-zgjedhja e letrarëve në rend të parë e duke u pasuar nga albanologët, artistë, regjisorët e kështu më radhë, por këtu ai harron krejtësisht edhe një strukturë tjetër njerëzish si: sociologët, filozofët, historianët, antropologët, arkitektët, ekonomistët, juristët e inxhinierët dhe rrjedhimisht veprat e tyre. Kjo harresë nuk është e rastësishme, meqë për të këta të fundit nuk ekzistojnë në hartën mendore të tij sepse ora e tij është e ndalur krejtësisht në vitet e ’90-ta, pra, në kohën e aparteidet dhe okupimit, kur albanologët e kishin okupuar pushtetin e polisit paralel, madje deri më 2006 ishin disi në krye të pushtetit. Koha e albanologëve për të udhëhequr me vendin ka perënduar njëherë e mirë. Ata duhet ta bëjnë punën e tyre ashtu siç duhet. Ata duhet të merren edhe me problemet gjuhësore dhe ta plotësojnë me atë që e kanë përjashtuar dikur me Standardin e 1972-ës.

Akademik Qosja kur i referohet konceptit politik të shpëtimit, përkatësisht një deklarate të kryeministrit në detyrë Ramush Haradinajt rreth konceptit politik të Albinit, shihet qartë se ai (Qosja) është ‘lënduar’ nga gjuha e përdorur dhe po ashtu, ngelet i habitur. Kam shumë mospajtime me logjikën e ‘nuk’ ose ’nukologjinë’ e z.Ramushit dhe mënyrën e të qeverisurit të tij, por në rastin konkret jam i të njëjtit mendim me të, sepse Albini krejt kauzën e tij e ka ndërtuar në dhunë dhe në kundërshtim të gjithëçkafit, ndërsa e ka luluar gjithnjë me poezi të cilat mund të jenë mbresëlënëse për një albanolog si z.Qosja, por nuk mund të jenë të dobishme për një njeri që e ka profesion politikën dhe rrjedhimisht nuk mund të jenë as për qytetarin me që rikthimi te një shtet i centralizuar na sjell tek një regjim jo demokratik, pra, tek nostalgjia e disave. Është e vërtet që në Kosovë ka nepotizëm dhe korrupsion, është e vërtetë që është keqpërdorur kudo që është dhënë mundësia të ndodh ajo. Nuk është se jam duke bërë argatin ndaj cilitdo që ka bërë një gjë të tillë, përkundrazi, por nuk mund të rikthehet vendi në pikën zero, pra, edhe tek mos fillimi i privatizimit. Privatizimi është dashtë të ndodh. Sigurisht ka vend për kritikë dhe për hetim në këtë proces, por nuk ka hapësirë që të mendohet si proces i cili nuk duhej të ndodhte (mbetjet majtiste të regjimit).

Konceptin e shpëtimit që e sheh z.Qosja tek kandidati impotent për kryeministër z.Kurti, është koncept i dhunimit, pra sjelljen e vendit në një dhunë. Kosova është shtet i pavarur dhe si i tillë duhet të ekzistoj. Kosova nuk është krahinë veriore e shtetit të Shqipërisë, e as që do të bëhet krahinë e saj e dorës së dytë, ashtu siç është veriu i Shqipërisë. Këtë ta kenë të qartë edhe z.Kurti edhe secili lider tjetër politik.

Meqë LVV është fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit të kaluar, le ta gjej mënyrën për krijimin e Qeverisë së re të udhëhequr nga z.Kurti. Ama, akademik Qosja nuk mundet ta fajësoj LDK-në në këtë drejtim, meqë ka edhe parti të tjera parlamentare me të cilat z.Kurti mund ta krijoj Qeverinë. Gjuha e dhunës e përdorur nga z.Kurti i ka mbyllur dyert LVV-së për partneritet me secilin subjekt përfshi edhe LDK-në. Nëse ke hy në një marrëveshje, duhet t’i qëndrosh parimit pas, andaj LDK konsideroj se është tradhtuar rëndë kur është zgjedhur z.Konjufca kryetar i Kuvendit, ani pse LDK ia ka mundësuar një gjë të tillë duke u sjellur si parti institucion-formues, duke lënë anash inatet dhe interesat partiake, gjë që z.Kurti nuk e ka bë një gjë të tillë. Një koalicion i mundshëm mes LVV-së dhe LDK-së pas kësaj, është koalicion i mosbesimit dhe koalicion i shpresës së rreme.

Koncepti i shpëtimit i përdorur nga akademik Qosja përkon tërësisht me konceptin e shpresës të përdorur nga z.Kurti në fushatën e fundit dhe në vitet e fundit. Të dy këto koncepte janë religjioze dhe si të tilla sjellin vetëm dogmë, asgjë më shumë. Akademik Qosja prej vitesh ia ka mbajtur ‘zhagun’ z.Kurtit, madje ky i fundit gjithnjë ia ka marr patin para zgjedhjeve. Mendimi i akademik Qosjes për politikën është tërësisht i pavlerë, ashtu edhe koha e ka treguar. Pa-dobishmëria e tij politike është treguar edhe me procese zgjedhore.

Emri i tij është lakuar për President të vendit kohëve të fundit si person kredibil e i mbështetur nga LVV. Atë nuk do ta pranon LDK me asnjë joshje të ofruar nga LVV. Akademik Qosja nuk është person kredibil për President, sepse proceset zgjedhore kur ai ishte pjesë e skenës politike e kanë dëshmuar një gjë të tillë, pra se sa ’ngre’ në popull. Edhe fajtorllakun që i lë LDK-së nuk është i rastësishëm, pra, nuk ka të bëjë asgjë me të vërtetën, por, ka të bëjë me dhembjen e moçme që e ka me LDK-në dhe Ibrahim (tradhtarin, siç e quante z.Qosja) Rugovën.

Për fund mund të themi se reagimi i akademik Qosjes është as më shumë e as më pak se sa kolumnet e tij të botuara në të përjavshmen “Zëri” gjatë vitit 1996 të mbitulluara “fjalori demokratik”.