Pacolli: Shpërndarja e Kuvendit erdhi si mungesë e konsensusit politik, zgjedhjet ofrojnë rikonfigurim të skenës politike
Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli ka reaguar lidhur me moszgjedhjen e Presidentit të Kosovës brenda afatit kushtetues, duke e cilësuar situatën si një krizë serioze institucionale që mund ta çojë vendin në zgjedhje të reja parlamentare. Sipas tij, Kushtetuta e parasheh qartë se nëse nuk arrihet zgjedhja e Presidentit brenda afatit të caktuar, Kuvendi shpërndahet…
Lajme
Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli ka reaguar lidhur me moszgjedhjen e Presidentit të Kosovës brenda afatit kushtetues, duke e cilësuar situatën si një krizë serioze institucionale që mund ta çojë vendin në zgjedhje të reja parlamentare.
Sipas tij, Kushtetuta e parasheh qartë se nëse nuk arrihet zgjedhja e Presidentit brenda afatit të caktuar, Kuvendi shpërndahet dhe vendi detyrohet t’i drejtohet sërish qytetarëve përmes zgjedhjeve.
Pacolli ka theksuar se kjo situatë është rezultat i mungesës së konsensusit politik ndërmjet partive parlamentare, të cilat nuk kanë arritur të sigurojnë votat e nevojshme për zgjedhjen e kreut të shtetit.
Ai ka vlerësuar se përtej dallimeve politike, ky dështim pasqyron një krizë më të thellë të bashkëpunimit institucional dhe mungesë përgjegjësie ndaj rendit kushtetues.
Sipas Pacollit, kalimi i afatit pa një zgjidhje konkrete jo vetëm që bllokon një nga funksionet kryesore të shtetit, por aktivizon edhe mekanizmat që çojnë në shpërndarjen automatike të Kuvendit, duke futur vendin në një proces të ri zgjedhor.
Ai ka shtuar se zgjedhjet e reja, ndonëse ofrojnë mundësi për rikonfigurim të skenës politike dhe stabilitet më të madh institucional, sjellin edhe kosto politike, ekonomike dhe kohore për vendin.
Në fund, Pacolli ka bërë thirrje për reflektim nga klasa politike, duke theksuar nevojën për dialog, kompromis dhe vendimmarrje në funksion të interesit shtetëror, në mënyrë që të shmangen kriza të tilla në të ardhmen.