Pacientët me kancer deri në katër muaj pa terapi, deputeti i VV-së e merr me sportivitet dhe tallet me kundërshtarët: Qetësohuni në bufe!

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sylejman Meholli, ka shkaktuar reagime në Kuvendin e Kosovës me një deklaratë ironizuese ndaj kolegëve opozitarë, në kohën kur po diskutohej për gjendjen në shëndetësi dhe mungesën e barnave për pacientët me kancer. Gjatë seancës ku ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, po përballej me interpelancë lidhur me vdekjen e një pacienteje…

Lajme

13/11/2026 13:13

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sylejman Meholli, ka shkaktuar reagime në Kuvendin e Kosovës me një deklaratë ironizuese ndaj kolegëve opozitarë, në kohën kur po diskutohej për gjendjen në shëndetësi dhe mungesën e barnave për pacientët me kancer.

Gjatë seancës ku ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, po përballej me interpelancë lidhur me vdekjen e një pacienteje me kancer të gjirit, e cila kishte mbetur katër muaj pa terapinë e nevojshme, Meholli ironizoi me deputetët që po kritikonin Qeverinë, transmeton lajmi.net.

“Në qoftë se naj kolegë nuk mundet me i përballu sukseset e Qeverisë, unë ia bëjë më të lehtë me dalë në bufe me u qetësu dhe me u kthy këtu prapë”, deklaroi Meholli në foltoren e Kuvendit.

Deklarata e deputetit të pushtetit erdhi në një seancë ku në qendër të diskutimeve ishin mungesa e barnave onkologjike, problemet me furnizim dhe shqetësimet për pacientët që nuk po arrijnë të sigurojnë terapinë e nevojshme.

Ndërkohë, në reagim ndaj fjalëve të Mehollit ndërhyri edhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila i kërkoi deputetit të mos merrej me komentet anësore gjatë diskutimit.

“Deputet, mos u merr me fjalët rreth e rrotull”, i tha Haxhiu./lajmi.net/