Rama sqaron rastin e tjetërsimit të pronave në Prishtinë: I dyshuari nuk është punonjës i Komunës
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar lidhur me arrestimin e një zyrtari të dyshuar për përfshirje në tjetërsimin e tri pronave komunale në kryeqytet, duke sqaruar se i njëjti nuk është punonjës i Komunës së Prishtinës. Përmes një postimi, Rama ka bërë të ditur se personi i arrestuar është punonjës i Arkivit Ndërkomunal, institucion…
Lajme
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar lidhur me arrestimin e një zyrtari të dyshuar për përfshirje në tjetërsimin e tri pronave komunale në kryeqytet, duke sqaruar se i njëjti nuk është punonjës i Komunës së Prishtinës.
Përmes një postimi, Rama ka bërë të ditur se personi i arrestuar është punonjës i Arkivit Ndërkomunal, institucion që funksionon në kuadër të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe është në varësi të Ministrisë së Kulturës, transmeton lajmi.net.
Ai ka theksuar se raportimet që e paraqesin të dyshuarin si zyrtar të Komunës së Prishtinës janë të pasakta.
“Për sqarim, zyrtari i dyshuar për përfshirje në tjetërsimin e pronave në Prishtinë është punonjës i Arkivit Ndërkomunal, institucion që funksionon në kuadër të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, në varësi të Ministrisë së Kulturës!”, ka shkruar Rama.
Ai ka kërkuar që të bëhet dallimi lidhur me institucionin ku i dyshuari është i punësuar, duke kundërshtuar raportimet që e lidhin atë me administratën komunale.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka njoftuar se më 11 nëntor 2026, njësia për hetimin e falsifikimit të dokumenteve, me autorizim të prokurorit, ka arrestuar një person të dyshuar për vërtetimin e dokumenteve të dyshuara, përmes të cilave dyshohet se janë mundësuar regjistrimi i tri pronave komunale në emër të një personi tjetër.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Rasti është duke u trajtuar nga organet e drejtësisë./lajmi.net/