Overdoza në treg
Korab Sejdiu akuzon për keqpërdorim të parasë publike në Komunën e Prishtinës. Në Lagjen Bregu i Diellit, tek Tregu, thotë se një investimi i parasë publike shfrytëzohet nga narkomanët.

Lajme
Kandidati i AKR’së për Kryetar të Prishtinës, Korab Sejdiu, ka vizituar tregun në Lagjen Bregu i Diellit, në vijim të fushatës së tij për zgjedhjet e 3 nëntorit, në tentim për të mësuar problemet e qytetarëve dhe për t’i bindur ata për votën.
Ai ka thënë se në aty po keqpërdoret paraja publike dhe kjo pjesë ka mungesë të planifikimit infrastrukturor.
Sejdiu ka deklaruar se në këtë treg ka pasur investime të jashtëzakonshme dhe të paplanifikuara nga Komuna e Prishtinës, sepse, sipas tij, ky treg është prishur për t’u ndërtuar rruga, por tashmë tregu ka mbetur zonë e shfrytëzuar nga narkomanët.
“Siç po e shihni, këtu ka qenë një treg ku ka pasur investime të jashtëzakonshme të parasë publike dhe menjëherë në mungesë të planifikimeve afatgjatë ose afatmesëm e shohim se është prishur dhe ka filluar ndërtimi i rrugës, e është dashur të merret parasysh para se të investohen qindra miliona euro”.
“Tani një investim i parasë publike shfrytëzohet nga narkomanët, siç po e shihni, për të eliminuar sigurinë e pjesës së popullatës që jeton këtu”.
Ai ka thënë se qytetarët edhe pse kanë paguar taksën infrastrukturore, Komuna s’u ka ofruar rrugë atyre, andaj, qytetarët duhet liruar nga kjo taksë, sipas tij.
“Ligji është shumë i qartë se nëse paguhet taksa infrastrukturore, duhet të ofrohet infrastruktura, përndryshe nuk duhet t’u merret ajo taksë dhe t’u ofrohet ndonjë marrëveshje ku vetë ndërtimtari e ndërton infrastrukturën”.
“Këtu po shihet qartë që nuk ka ndodhu as njëra as tjetra, pasi që shumë prej rrugëve dhe kanalizimeve nuk janë ndërtuar në këtë pjesë të qytetit”.
Sejdiu ka premtuar se nëse i besohet vota nga qytetarët e Prishtinës do të punojë më së shumti që të hapin vende të reja të punës dhe ta kthejnë sundimin e ligjit në Komunën e Prishtinës.