Osmani: Vizita e Vuçiqit në Moskë, akt i qartë politik që sfidon edhe vet qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e Evropës

Presidentja Vjosa Oosmani ka thënë se pret një qasje të re dhe balancuese nga lidershipi i ri i Bashkimit Evropian sa i përket procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Në një konferencë për media pas takimit me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, ajo u shpreh se qasja e re do të ishte në…

Lajme

14/05/2025 19:09

Presidentja Vjosa Oosmani ka thënë se pret një qasje të re dhe balancuese nga lidershipi i ri i Bashkimit Evropian sa i përket procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një konferencë për media pas takimit me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, ajo u shpreh se qasja e re do të ishte në të mirë të paqes dhe stabilitetit.

Sipas saj, fokusi kryesor i dialogut duhet të jetë njohja reciproke.

“Z. President siç diskutuam gjatë takimit tonë, edhe sa i përket zhvillimeve në rajon dialogu me Serbinë që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, tani me emërimin e ri të emisarit për dialog shpresojmë të sjellë një frymë të re, një qasje të balancuar dhe trajtim të barabartë të të dyja palëve”.

“Pra, nëpërmjet qasjes të re të lidershipit evropian në Kosovë jemi të bindur se fokusi kryesor i këtij procesi duhet të jetë njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sepse për ndryshe nuk do të kontribuonte në paqe dhe stabilitet afatgjatë e as në integrimin evropian të rajonit tonë”, tha Osmani.

Osmani u shpreh se vizita e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Moskë të Rusisë më 9 Maj paraqet një veprim që sfidon stabilitetin e BE-së.

“Megjithatë duhet të përmend se vizita e fundit e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Moskë në sfondin e një lufte që po e trondit Evropën, pra luftës Rusisë kundër Ukrainës. Natyrisht se edhe pritshmëritë tona nuk janë premtuese, vizita e tij në Moskë nuk mund të shihet në asnjë dritë tjetër përpos si një akt i qartë politik që sfidon edhe vet qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e Evropës”.

“Dhe nëse një vend pretendues për të qenë anëtar sillet kështu dhe nuk ballafaqohet me asnjë masë lidershipi i atij vendit, atëherë pyetja lind natyrshëm: Çfarë mesazhi po i jepet rajonit tonë?”, u shpreh Osmani.