Osmani takon grupin punues të BE-së për Ballkanin Perëndimor, kërkon mbështetje për anëtarësim në KiE

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim një delegacion të Grupit Punues të BE-së për Ballkanin Perëndimor, ku ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend dhe procesin e dialogut me Serbinë. Në një komunikatë për media, Zyra e Presidencës ka njoftuar se Osmani me diplomatët e Grupit Punues të BE-së…

Lajme

24/04/2024 17:20

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim një delegacion të Grupit Punues të BE-së për Ballkanin Perëndimor, ku ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend dhe procesin e dialogut me Serbinë.

Në një komunikatë për media, Zyra e Presidencës ka njoftuar se Osmani me diplomatët e Grupit Punues të BE-së për Ballkanin Perëndimor, ka theksuar progresin e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, transparencës, qeverisjes së mirë dhe në veçanti respektimit të të drejtave të njeriut.

Osmani ka thënë se Kosova ka aplikuar për statusin e vendit kandidat në BE, në dhjetor të vitit 2022 dhe se është e përkushtuar për t`i përmbushur obligimet dhe kriteret për anëtarësim.

“Kosova është në linjë të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Rrjedhimisht duhet të ecet përpara me statusin e vendit kandidat”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Osmani tha se Kosova e ka inkorporuar Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe instrumente të tjera ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në Kushtetutën e saj, duke siguruar të drejtat e komuniteteve, sundimin e ligjit dhe qeverisjen demokratike, siç dëshmohet nga organizata të besueshme ndërkombëtare.

Osmani, para diplomatëve foli edhe për angazhimin dhe përkushtimin për avancimin e agjendës për gratë, paqen dhe sigurinë, si dhe mbajtjen e edicionit të dytë të Forumit WPS, i cili e ka shndërruar Kosovën në një lider rajonal në përmbushjen e kësaj agjende.

“Duke folur për procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e anëtarësimit në këtë organizatë në funksion të rritjes së efektivitetit të mbrojtjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve tanë pa dallim, duke u dhënë atyre qasje në mekanizmat për të drejta të njeriut. Presidentja Osmani theksoi se Kosova ka nevojë për mbështetje të mëtejme nga shtetet edhe në fazën e fundit, në votimin që mund të mbahet në muajin maj, në Komitetin e Ministrave”, thuhet në komunikatë.