Osmani kritikon Kurtin: Tendenca ka qenë që Presidenca të jetë thjesht një OJQ, të mos intervenojë kur mbrohet interesi i Kosovës

Presidentja e gjashtë e Kosovës dhe kandidatja e LDK-së për mandatin e dytë të presidentes, Vjosa Osmani, ka thënë se në vend ekziston një krizë e thellë në mënyrën se si pushteti aktual e kupton shtetin dhe funksionimin e Republikës së Kosovës. Në një intervistë në RTV Dukagjini, në emisionin “Debat Plus”, Osmani u pyet…

Lajme

06/06/2026 23:46

Presidentja e gjashtë e Kosovës dhe kandidatja e LDK-së për mandatin e dytë të presidentes, Vjosa Osmani, ka thënë se në vend ekziston një krizë e thellë në mënyrën se si pushteti aktual e kupton shtetin dhe funksionimin e Republikës së Kosovës.

Në një intervistë në RTV Dukagjini, në emisionin “Debat Plus”, Osmani u pyet nëse zgjedhjet janë pasojë e refuzimit për ta përkrahur atë si presidente apo e një krize më të thellë të konceptit të shtetit.

Sipas saj, bëhet fjalë për një keqkuptim fundamental rreth mënyrës se si duhet të funksionojë shteti.

“Është një krizë vërtet shumë e thellë e asaj se si kuptohet shteti nga pushteti aktual, është një keqkuptim fundamental rreth asaj se si duhet me funksionu Republika e Kosovës. Mendojnë se e kanë të drejtën pronësore rreth asaj sesi duhet të interpretohet Kushtetuta dhe koncepti i shtetit”, tha Osmani.

Ajo shtoi se kur pushteti e konsideron shtetin si pronë të një partie, kjo, sipas saj, nuk nënkupton vetëm ushtrimin e pushtetit, por edhe ndikimin në mënyrën se si mendojnë të tjerët.

“Kur pushteti mendon se gjithçka duhet me qenë pronë e një partie dhe kur flas për pronë nuk nënkuptoj vetëm ushtrimin e të drejtës së qeverisjes, por mbi të gjitha pronën për mënyrën se si mendojnë të tjerët, kjo pastaj ka pasoja shumë të thella afatgjate”, u shpreh ajo.

Osmani theksoi se kjo qasje, sipas saj, është reflektuar edhe në marrëdhëniet e saj me pushtetin si presidente.

“Natyrisht kjo pastaj është reflektuar në mënyrën sesi e kanë prishur bashkëpunimin me mua si presidente”, deklaroi ajo.

Ajo tha se problemi nuk lidhet vetëm me individët, por me një keqkuptim më të gjerë për vetë shtetin, duke përmendur tendencën për kontroll dhe përjashtim të mendimeve të ndryshme.

“Një tendencë me kontrollu gjithçka, një tendencë me pas gjithçka si pronë të tyre, një tendencë që çdo mendim sado pak ndryshe që mund të jetë, duhet patjetër të kapet, të kontrollohet, të eliminohet”, tha Osmani.

Sipas saj, kjo nuk është modeli i shtetit që synohet në Kosovë dhe as ai i paraparë nga Kushtetuta apo themeluesit e shtetit.

“Ky nuk është shteti të cilin ne dëshirojmë me e shty përpara, ky nuk është shteti që e kanë paraparë themeluesit e vendit tonë dhe ky nuk është shteti që e parasheh edhe vet Kushtetuta e shtetit tonë”, theksoi ajo.

Osmani tha se ka pasur një tendencë që Presidenca të trajtohet vetëm si institucion formal, pa rol aktiv në mbrojtjen e interesit të Kosovës.

“Pra tendenca e pushtetit ka qenë që Presidenca të jetë thjesht një OJQ, të mos intervenojë kur mbrohet interesi i Kosovës”, u shpreh ajo.