Ambasadori britanik për zgjedhjet nesër: Qytetarët duan më pak dramë politike dhe më shumë rezultate

Paqëndrueshmëria politike, çështjet ekonomike dhe funksionimi i institucioneve mbeten shqetësimet kryesore të qytetarëve të Kosovës. Kështu ka deklaruar ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, i cili thotë se nga takimet e tij me qytetarët në mbarë vendin ka identifikuar kërkesën për më shumë rezultate konkrete dhe më pak përplasje politike. Në një intervistë, Hargreaves tha…

Lajme

06/06/2026 23:08

Paqëndrueshmëria politike, çështjet ekonomike dhe funksionimi i institucioneve mbeten shqetësimet kryesore të qytetarëve të Kosovës. Kështu ka deklaruar ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, i cili thotë se nga takimet e tij me qytetarët në mbarë vendin ka identifikuar kërkesën për më shumë rezultate konkrete dhe më pak përplasje politike.

Në një intervistë, Hargreaves tha se frustrimi i qytetarëve me krizën politike vazhdon të jetë i pranishëm.

“Nga takimet dhe komunikimet e mia në mbarë Kosovën, dalin vazhdimisht tri tema kryesore.

Së pari, shqetësimi për paqëndrueshmërinë politike. Shumë qytetarë janë të frustruar nga zgjedhjet e përsëritura dhe duan institucione funksionale dhe një qeveri që zgjat”, tha ai.

Ambasadori britanik theksoi se çështjet që lidhen me mirëqenien ekonomike vazhdojnë të dominojnë bisedat me qytetarët.

“Së dyti, shqetësimet e përditshme. Punësimi, kostot e energjisë dhe shërbimet publike përmenden pothuajse në çdo bisedë”, deklaroi Hargreaves.

Ai tha se qytetarët shprehin gjithashtu shqetësime për mënyrën se si zhvillohet debati politik, veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore.

“Së treti, besimi dhe gjuha e komunikimit. Njerëzit duan institucione që funksionojnë në mënyrë të drejtë. Ata janë gjithashtu të shqetësuar për tonin e politikës, veçanërisht për sjelljen në internet gjatë fushatave”, u shpreh ai për Indeksonline.

Duke përmbledhur mesazhin që merr më shpesh nga qytetarët, ambasadori britanik tha:“Me pak fjalë, qytetarët duan më pak dramë politike dhe më shumë rezultate konkrete.”