Osmani e ashpër me VV-në: 51 për qind nuk u respektua vetëm për të më eliminuar politikisht – ne kemi veç të vërtetën, ata kanë veç propagandën

Në “Tubimin e Bashkimit” të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë, kandidatja për presidente Vjosa Osmani ka mbajtur një fjalim ku ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për përpjekje, siç tha ajo, për eliminim të saj politik dhe për deformim të vullnetit qytetar. Vjosa Osmani tha se kundërshtimet ndaj saj janë shtuar pas takimeve që ajo ka…

Lajme

10/05/2026 19:08

Në “Tubimin e Bashkimit” të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë, kandidatja për presidente Vjosa Osmani ka mbajtur një fjalim ku ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për përpjekje, siç tha ajo, për eliminim të saj politik dhe për deformim të vullnetit qytetar.

Vjosa Osmani tha se kundërshtimet ndaj saj janë shtuar pas takimeve që ajo ka zhvilluar me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, transmeton lajmi.net.

“Pra, në njërën anë është rruga e atyre që e çojnë vendin në zgjedhje çdo tre muaj sepse nuk ngopen kurrë, rruga e atyre që e shndërrojnë në mision eliminimin e secilit, secilit që Republikën e vendos përpara çdo interesi partiak dhe ideologjik, rruga e atyre që e dërguan vendin në zgjedhje të panevojshme dhe ia refuzuan popullit 51% vetëm për të eliminuar një president që u ul me presidentin e SHBA-së”, tha Osmani.

Ajo theksoi se sipas saj, 51 për qind e vullnetit qytetar nuk është respektuar për arsye politike.

“51 për qind nuk u respektua vetëm për të më eliminuar politikisht”, u shpreh Osmani.

Duke folur për klimën politike në vend, ajo akuzoi pushtetin për propagandë dhe përpjekje për diskreditim të kundërshtarëve politikë.

“Ky përkushtim nuk do të ndalet sado që dikush mund ta dëshirojë një gjë të tillë, sepse faktet janë të forta dhe janë në anën tonë. E vërteta është në anën tonë, ne kemi veç të vërtetën, ata kanë veç propagandën”, tha ajo.

Osmani gjithashtu u ndal te mënyra se si, sipas saj, trajtohen kundërshtarët politikë në Kosovën e pasluftës.

“Ka nga ata që e quajnë veten të pazëvendësueshëm pikërisht duke e mbajtur qytetarin peng të frikës e viktimë të linçimeve. Kush do e kishte imagjinuar që 27 vjet pas luftës, dikush do të konsideronte kësi pengesë veç pse i janë hapur dyert Kosovës, pengesë veç pse flamuri i Kosovës nisi të ngrihej nëpër forume botërore, pengesë nga ata që nuk mund ta ngrenë flamurin as në forumet e brendshme e lëre më në forumet ndërkombëtare”, u shpreh ish-presidentja.

Në fund të fjalimit të saj, Osmani theksoi se LDK-ja, sipas saj, mbetet në anën e së vërtetës dhe vazhdon të mbështesë një rrugë politike që vendos shtetin përpara interesave partiake./lajmi.net/