Opozita shpreson në votat e koalicionit qeverisës për mocionin e mosbesimit

Kosova ka hyrë në një situatë të re politike.

Lajme

22/05/2019 18:58

Dy partitë më të mëdha opozitare LDK dhe VV kanë nisur takimet dhe bashkëpunimin për mocion të mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës ku pretendohet të rrëzohet qeveria dhe të organizohen zgjedhje të reja, shkruan lajmi.net.

Sot në mëngjes janë takuar lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ku diskutuan për organizimin e këtij mocioni të mosbesimit ndaj Qeverisë.

Rrëzimi i Qeverisë, takohen Kurti e Mustafa

Pas takimit, lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se partia e tij vlerëson që kjo qeveri duhet të rrëzohet dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“LDK vlerësoi se vendi duhet të shkojë në zgjedhje përmes votës së mosbesimit ndaj Qeverisë aktuale ose përmes shpërndarjes së Kuvendit duke kërkuar nga të gjitha organet e LDK-së angazhim të plotë dhe të gjithanshëm për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Në anën tjetër, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje tha se janë pajtuar me kreun e LDK-së, Isa Mustafa që të bëhen përgatitje për rrëzimin e qeverisë.

“Qytetarët duan qeverisje të re, të mirë e të drejtë dhe jo keqqeverisje që na e rrit borxhin, zhvat buxhetin dhe falimenton ndërmarrjet. U pajtuam që t’i bëjmë përgatitjet e nevojshme për rrëzimin e qeverisë”, tha Kurti në një postim në Facebook.

LDK dhe VV janë shprehur se do të bashkëpunojnë edhe me Partinë Socialdemokrate për rrëzimin e qeverisë, por kanë mohuar mundësinë e bashkëpunimit me Listën Serbe.

Të tri këto parti opozitare së bashku kanë 56 vota dhe ky numër nuk është i mjaftueshëm për rrëzimin e qeverisë. Por ku mendojnë t’i sigurojnë ata këto vota?

Lajmi.net ka folur me deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova i cili është shprehur se përpjekjet për rrëzimin e qeverisë janë serioze dhe se ka takime në nivel liderësh.

“Po tani kjo nuk është temë e re, veçanërisht në LDK, ne edhe vitin e kaluar kemi bërë disa përpjekje që të koordinohemi, megjithatë këtë vit është një përpjekje dukshëm më serioze sepse kanë filluar takimet në nivel të liderëve, ku sot janë takuar zotri Mustafa dhe zotri Kurti, presim që brenda javës të ketë takim edhe me zotrin Ahmeti dhe të koordinohemi dhe t’i bashkërendojmë veprimet për inicimin e një mocioni për rrëzimin e qeverisë”, tha Rugova për lajmi.net.

Në anën tjetër, ai tha se shpresojnë tek votat e koalicionit qeverisës për rrëzimin e Qeverisë, duke shtuar se nuk ka alternativë tjetër përpos rrëzimit të qeverisë.

“Sigurisht që ne të tri partitë opozitare nuk e kemi shumicën e nevojshme por sigurisht liderët besoj janë në kërkim të tri apo katër votave të tjera nga spektri politik që është në koalicionin qeverisës, prandaj dua të besoj që ngulfatja e Kuvendit të Kosovës, mungesa e kuorumit në seanca, mos-procedimi i ligjeve nuk ka alternativë tjetër, përpos rrëzimin e kësaj qeverie dhe organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, tha Rugova.

Gjithashtu, vlen të theksohet se partitë e koalicionit PAN shpeshherë e kanë mohuar mundësinë e kontributit në rrëzimin e qeverisë Haradinaj. /Lajmi.net/