Opozita, peng i Kurtit

Më 28 nëntor opozita e kishte fare pranë shansin për t’u përgëzuar për organizimin paqësor të protestës, të deklaruar si manifestim “Për Republikën”.

Lajme

30/11/2015 12:01

Kjo do të ishte një nga herët e rralla kur do të mbahej premtimi që protesta të jetë paqësore. Dhe do të përkonte shumë me atmosferën festive të ditës që u organizua ky manifestim, 28 Nëntorit, një nga ditët më festive dhe më përbashkuese të kombit tonë. Dhe, kështu do t’i rrëzonte poshtë edhe teoritë e ngritura për karakterin spekulativ të saj, gjegjësisht kauzës së saj, meqenëse dihet se shqiptarët historikisht në këtë ditë, protesta e demonstrata kanë mbajtur kundër shtypjes kombëtare dhe shkeljes së të drejtave dhe lirive të tyre njerëzore, fillimisht nga ish-Jugosllavia, më pastaj nga Serbia.

S’mund të cilësohet kurrsesi si policor shteti i Kosovës pse nuk lejoi të tërhiqej për hunde. Fakti që shteti i Kosovës s’lejoi të tërhiqej edhe më tej për hunde, por kishte ndërhyrje të policisë dhe arrestime, duke përfshirë edhe ish-liderin e VV-së, Albin Kurtin, si dhe zyrtarë dhe aktivistë të kësaj partie, flet se manifestimi i djeshëm i opozitës nuk mund ta marrë vlerësimin e organizimit paqësor. Në anën tjetër, prania e Kurtit në manifestim, edhe përkundër faktit se kishte fletarrestim ndaj tij dhe se policia, edhe në kundërshtim me natyrën e punës së saj, ishte treguar tepër gjeneroze, duke paralajmëruar arrestimin e tij dhe të deputetëve të tjerë të kërkuar nëpërmjet fletarrestimeve, nëse do të merrnin pjesë në manifestim, gjithashtu ka ngritur shumë çështje, shumë pyetje, të cilave opozita do të duhej t’u gjente përgjigje, fillimisht për veten e saj e më pastaj gjithsesi edhe për opinionin.

A ishte përfundimi i manifestimit “Për Republikën” dështim menaxherial apo shpërfaqje e egër e pengmarrjes së opozitës nga ana e VV-së, përkatësisht ish-liderit të saj Albin Kurti? Mendoj se këto janë dy çështjet më thelbësore për të cilat AAK-ja dhe Nisma do të duhej të kërkonin përgjigje dhe varësisht prej tyre edhe të (ri)definojnë rolin e tyre opozitar. Sepse, përkundër dëshmimit për sjellje korrekte në raport me ligjin ndërkombëtar, ani pse që në fillim ekzistonte bindja e fuqishme se ai ishte i padrejtë, nga ana e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, fillimisht duke e dorëzuar me duart e tij të vëllanë, Dautin, në duart e UNMIK-ut, ndërsa më vonë edhe vetë, duke hequr dorë nga posti i kryeministrit për t’iu dorëzuar vetë Hagës, gjë që e kishte bërë edhe lideri i Nismës, Fatmir Limaj, nuk mund të paramendohet dhe të duket e besueshme se ata do të kenë organizuar së bashku 60 autobusë me njerëz nga qytete të ndryshme të Kosovës, vetëm e vetëm për ta përcjellë Albin Kurtin në burg në ditën festive të 28 Nëntorit.

Edhe po ta marrim si realist numrin prej përafërsisht 35 mijë protestuesve të mbledhur në Prishtinë, sa e kanë raportuar disa medie ndërkombëtare, ky numër është shumë larg prej atij të mbi 200 mijë nënshkrimeve në të cilat thirret opozita. Domosdo, ky numër i pjesëmarrësve në manifestim, gjithsesi tepër larg premtimeve, parashikimeve dhe investimeve të saj, krahas qëndrimit politik të gjertanishëm që kanë mbajtur ambasadat e vendeve të aleancës për çlirimin, shtetbërjen dhe integrimet euroatlantike të Kosovës, do të duhej t’i shërbente opozitës si shtysë e fuqishme për t’ia nënshtruar kauzën e saj, përkatësisht metodat e praktikuara gjerë më tani në shërbim të saj, revizionimit urgjent.

Kërkimi i rrugës së dialogut me pozitën, debatit dhe betejës politike në Kuvend, jo vetëm që kthen paqen politike dhe unitetin qytetar, por duket se vazhdon të mbetet jo vetëm një nga opsionet më realiste, por edhe më i përkrahuri, edhe nga ana e qytetarëve të vendit.

Thjesht, qytetarët e janë të lodhur. Ndjehen të stërlodhur, mbi të gjitha, nga barra e shtetit si dhe vlefshmëria e ligjeve vetëm në raport me ta; sfidimi dhe përdhunimi që po i bëhet po këtij shteti dhe po këtyre ligjeve nga ana e politikanëve dhe ligjbërësve. Prandaj, është koha e fundit që shteti të veprojë pa asnjë dallim përkatësie etnike e partiake ndaj të gjithë të dyshuarve për krim dhe korrupsion. Vetëm në këtë mënyrë besoj se do të bindej edhe një pjesë e opozitës se shteti nuk po bën hile.