Opozita pa vija të kuqe: Të hapur për bashkëpunim edhe me VV-në
Opozita nuk ka vija të kuqe për pushtetin. PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja nuk i kanë thënë “jo” një bashkëpunimi të mundshëm pas zgjedhjeve me VV-në, të cilën e kanë kritikuar ashpër për keqqeverisje në këto vitet e fundit. Liderët e këtyre partive politike janë shprehur të hapur për bashkëpunim pas 7 qershorit për tejkalimin e…
Lajme
Opozita nuk ka vija të kuqe për pushtetin. PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja nuk i kanë thënë “jo” një bashkëpunimi të mundshëm pas zgjedhjeve me VV-në, të cilën e kanë kritikuar ashpër për keqqeverisje në këto vitet e fundit.
Liderët e këtyre partive politike janë shprehur të hapur për bashkëpunim pas 7 qershorit për tejkalimin e krizës.
Kryetari i PDK-së, njëherësh kandidat për kryeministër i kësaj partie, Bedri Hamza, ka thënë se parimisht nuk ia mbyll derën askujt.
Megjithatë, ai ka thënë se kjo nuk është ndonjë garanci se mund të harmonizohen programet me secilën parti.
“Unë nuk ia mbyllu derën kurrë kërkujt. Por, kjo nuk do të thotë se ka garanca që ne harmonizohemi në program. Për mua nuk është bashkëqeverisje kush cilin pozicion po e merr, kush sa ministri po i merr apo kush po bëhet ministër. E para është çka ne po dakorodhemi që mundemi me e përmirësuar në këtë vend dhe mundemi me e përmirësuar? Çka duam të bëjmë ne për rritjen e çmimeve, për rritjen e pagave, për përkrahjen e bizneseve. Vetëm kur harmonizohemi në këto tema, pastaj ulemi dhe flasim për qeverinë, për kuvendin për presidentin, për ministra dhe për të gjitha”, ka thënë Hamza në emisionin “Click”.
Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se nuk ka vija të kuqe me askënd.
Në emision Pressing, ai ka thënë se rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit do të përc1aktojë shumëçka.
“Kur flasim për bashkëpunim, ne duhet ta ruajmë këtë edhe në nivel me partitë tjera. Patjetër me të gjitha. Shiqoni rezultatet elektorale përcaktojnë shumë rrjedhën. Por, nëse gjënë e parë e kemi zgjedhjen e presidentit, duhet të flasim me të gjithë. Kushdo që thotë se nuk do të flasim me të gjithë është duke thënë se do të shkojmë edhe një herë në zgjedhje”, ka thënë ai, duke shtuar se për zgjedhjen e president duhet të bashkëpunohet.
“Çështja e parë që do të flitet është për president, pastaj për ekzekutiv. Mund të ndodh që të dijat të trajtohem bashkërisht”, ka thënë Abdixhiku.
Kurse bartsja e listës së LDK-së, Vjosa Osmani, ka thënë se vija të kuqe ka vetëm ndaj Listës Serbe.
“Natyrisht që nuk shoh asnjë mënyrë për bashkëpunim me ta, e kanë vijë të kuqe të trashë dhe të pa negociueshme. Kurse, forcat e tjera politike në Kosovë duhet çdo ditë derisa flasin para qytetarëve ta kenë parasysh që pas 7 qershorit ne do të duhet te ulemi në të njëjtën tavolinë dhe ta gjejmë një rrugë për ta tejkaluar krizën e cila po e dëmton Kosovën për brenda por edhe në aspektin ndërkombëtar”, ka thënë ajo për Kanal10.
Ndërsa, kandidati i AAK-së për kryeministër, Ardian Gjini, nuk ka dashur të flas shumë për këtë çështje.
Në një intervistë për “BlicIntervieë”, ai ka thënë se nuk e mendon këtë gjë fare.
“Kjo është temë për të cilën nuk mendoj hiç, zero. Nuk jam tu menu për atë opsion hiç, jam tu menu me ndërtu një ekip, një koncept, një andërr të vizatuar, kushtimisht të vizatuar të thurrurr mirë, narracionin dhe tregimin të cilin kemi me ndjek dhe nuk kemi me u nda hiç. Të kaluarën nuk mundemi me ndrru, nuk mundemi si orakuj me ditë të ardhmen amo mundemi me punu për të ardhmen, unë jam tu punu e jo me prit se çka po ndodh edhe atëherë me vendos qysh me u sjellë por jom tu punu për me ndodhë ashtu siç është më së miri për Kosovën, ky është synimi im tjerat janë të parëndësishme”, ka thënë Gjini.