Oficerja amerikane që ia shpëtoi jetën foshnjës nga Malisheva

Pakkush besonte se Izeti i porsalindur do ta fitonte luftën për jetën. Mjekët e Gjinekologjisë po e mbanin gjallë në inkubator. Ishte anemik. Familjarët nga Malisheva, që mezi pritën lajmin për lindjen e djalit, kishin tre muaj që po zienin përbrenda.

Lajme

15/03/2015 08:39

Shpresat po humbnin. Kishte vetëm një mundësi. Ajo ishte e papërballueshme financiarisht. Foshnja do të shpëtonte vetëm nëse do të kryheshin jashtë vendit ndërhyrje të komplikuara kirurgjike në zemrën e Izetit shëndetlig.

Sistemi publik i shëndetësisë nuk e ofron këtë operacion. Shërimi jashtë Kosovës kërkon procedura të zgjatura administrative në Ministrinë e Shëndetësisë. Me fat janë fëmijët e sëmurë që e kanë emrin në krye të listës. Fonde nuk ka për të gjithë.

Fati nuk ia kishte kthyer krejtësisht shpinën djaloshit me çehre të zbehtë në Gjinekologji. Vizita e një oficereje amerikane në klinikë do ta ndryshonte jetën e familjes malishevase në halle.

“Ishte një rast, si me thënë…..”, ndalet pak Mazllum Belegu, drejtues për Kosovë i organizatës ndërkombëtare bamirëse “Gift of Life”, pastaj vazhdon ta përshkruajë gjendjen e të porsalindurit: “Izeti ka lind me fat në fatkeqësi”.

Ushtarakja e SHBA-ve i ishte lutur me një letër drejtorit ekzekutiv të “Gift of Life International”, Rob Raylman, që ta ndihmonte për t’ia shpëtuar jetën vogëlushit kosovar. Dy ndërhyrjet kirurgjike në zemër kanë kushtuar 60,000 euro në Itali. (Koha Ditore)