OBSH: Dërgimi i vazhdueshëm i furnizimeve mjekësore në Gazë është jetik
Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) tha se dërgesat e vazhdueshme të furnizimeve mjekësore në Gazë janë “jetike”, teksa kamionët e OBSH-së me ndihma u nisën drejt kufirit të mërkurën. Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se agjencia e Kombeve të Bashkuara për shëndetësi ka nisur dhjetë kamionë nga El-Arish në Egjipt drejt pikëkalimit kufirtar Kerem…

Bota
Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) tha se dërgesat e vazhdueshme të furnizimeve mjekësore në Gazë janë “jetike”, teksa kamionët e OBSH-së me ndihma u nisën drejt kufirit të mërkurën.
Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se agjencia e Kombeve të Bashkuara për shëndetësi ka nisur dhjetë kamionë nga El-Arish në Egjipt drejt pikëkalimit kufirtar Kerem në Izrael për në Rripin e Gazës.
Kamionët po transportojnë “ilaçe esenciale, pajisje laboratorike dhe për testim të ujit”, tha ai, teksa edhe dy kamionë të tjerë me furnizime mjekësore, së bashku me doza të gjakut, pritet që të nisen drejt Gazës të enjten.
“Të gjitha furnizimet e OBSH-së do të dërgohen më pas në Gazë, së bashku me tre kamionë me furnizime mjekësore të dërguar nga partnerët tanë shëndetësorë”, tha Tedros në platformën X.
“Nevojat shëndetësore në Gazë janë të mëdha. Është jetike që në Gazë të ketë dërgesa të vazhdueshme me furnizime mjekësore. Ne vazhdojmë të bëjmë thirrje për qasje të sigurt dhe të papenguar për ndihmat mjekësore drejt dhe brenda Gazës si dhe për një armëpushim. Paqja është ilaçi më i mirë”, shtoi ai.
Izraeli vendosi një bllokadë të plotë në Gazë më 2 mars, pasi dështuan bisedimet për një armëpushim. Në fund të majit maj, Izraeli nisi të lejonte hyrjen e një sasie të vogël të ndihmës, teksa së voni ka pasur raportime për raste të urisë dhe vdekje të lidhura me urinë.
Këtë javë, Izraeli nisi ndalesa të përditshme në operacionet ushtarake në disa zona të Gazës dhe hapi korridore të sigurta për të mundësuar shpërndarjen e ushqimit nga agjencitë e OKB-së dhe organizata të tjera humanitare në këtë territor ku jetojnë mbi 2 milionë banorë.
OBSH-ja tha se në Gazë, sulmet ajrore dhe mungesa e furnizimeve mjekësore, ushqimore dhe të ujit kanë bërë që sistemi shëndetësor të jetë “pothuajse i shkatërruar”. Shumë spitale janë jashtë funksionit, ndërsa të tjerat, sipas OBSH-së, mezi po funksionojnë.
Një zëdhënës i OBSh-së i tha agjencisë AFP se në Gaza kanë hyrë nëntë kamionë të agjencisë më 25 qershor; katër më 28 qershor; njëmbëdhjetë më 8 korrik; dhe gjashtë të tjerë më 20 korrik.
Lufta në Gazë ka nisur më 7 tetor 2023, kur radikalët e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmuan jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Afër 50 persona besohet se ende mbahen në Gazë, ndërsa të tjerët janë liruar në marrëveshjet paraprake të armëpushimit. /REL