Obama: Kriza e refugjatëve të mos barazohet me terror

Presidenti amerikan, Barack Obama, tha sot se Shtetet e Bashkuara duhet t’i intensifikojnë përpjekjet për t’i ndihmuar personat e zhvendosur nga dhuna në Siri, duke thënë se kriza e refugjatëve nuk duhet të barazohet me terrorizëm dhe se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të bëjnë dallime ndërmjet refugjatëve myslimanë dhe të krishterë.

Bota

16/11/2015 19:08

“Njerëzit që po largohen nga Siria janë më të goditurit nga terrorizmi”, tha Obama, dhe është shprehur se ata janë më së shumti të dëmtuar “nga pasojat e luftës civile dhe konfliktit”.

Disa kandidatë presidencialë republikanë kanë kërkuar që të pranohen vetëm refugjatët e krishterë ose të kufizohet imigrimi, pas sulmeve të koordinuara në Paris, për të cilat përgjegjësinë e ka marrë grupi ekstremist, Shteti Islamik, raporton agjencia Reuters nga Uashingtoni.

Obama u ka bërë thirrje anëtarëve të Partisë Republikane, që ta ndjekin shembullin e ish-presidentit, George W. Bush, i cili luftën kundër terrorit nuk e ka trajtuar si luftë kundër myslimanëve./rel