OAK: Ndërprerjet e lidhjeve telefonike dhe mosnjohja e kodeve të internetit në Kosovë, faktor dëmtues i bizneseve

Problemet e telefonisë mobile, kualiteti i dobët i shërbimeve të telefonive mobile, problemet me mbulimin e rrjetit 3G dhe 4G në autostradë dhe problemet me IP që po dëmtojnë me miliona euro biznesin dhe buxhetin e Kosovës, ishin disa nga çështjet e diskutimit në takimin ndërmjet përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) me anëtarët e bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

Lajme

22/10/2020 08:53

OAK fillimisht theksoi se problem kryesor është ndërprerja e lidhjeve telefonike si pasoja të kalimit nga një antenë në antenën tjetër si dhe kualiteti i dobët i telefonatave dhe shërbimeve të internetit 3G dhe 4G në pjesët e autostradave. Gjithashtu, në çdo portal që ka të paraqitura reklama në fund të faqes, dhe në bazë të IP-ve shfaqen dhe reklamat, ku shpeshherë kemi reklama në gjuhë të tjera dhe jo në shqip. Kjo po ndikon negativisht tek mediat duke pësuar humbje financiare në biznes dhe njëkohësisht humbje në buxhetin e shtetit.

OAK ka bërë një hulumtim në Prishtinë në lidhje me ketë ( mund të bëni edhe ju në https://whatismyipaddress.com/ ) dhe varësisht nga operatorët del se edhe pse je në Prishtinë, ti sipas IP-adresave , je në Mal të Zi, Shqipëri apo në Serbi.

Në këtë rast OAK kërkoi që ARKEP të kontribuojë në eliminimin e këtyre problemeve.

Përfaqësuesi i biznesit anëtar të OAK-së MIK MIK, Enis Pakashtica falënderojë autoritetin për procedurat e qasshme dhe të shpejta që ata ofrojnë për licensim të postave, gjithashtu ngriti si çështje dëmtimin e bizneseve të licencuara nga bizneset të pa licencuara të cilat po vazhdojnë veprimtaritë e tyre në mënyrë të jashtëligjshme.

Anëtarët e bordit të ARKEP përgëzuan përfaqësuesit e OAK-së për iniciativen e adresimit të problemeve të bizneseve nëpër institucione duke theksuar që janë të hapur të mirëpresin çdo ankesë dhe çështje që ka lidhje të bëjë me shërbimet e telefonisë dhe postave. Gjithashtu, sa i përketë çështjeve të ngritura nga OAK-së ata theksuan që Kosova nuk ka kod të internetit dhe të gjithë operatorët kyçjen e gjejnë tek shtetet e tjera dhe kjo është arsyeja që Kosova nuk ka IP të njohur duke pas parasysh që duhet të jemi anëtarë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Në këtë takim OAK u përfaqësua nga Kryetari i Bordit Skënder Krasniqi, Koordinatore e OAK-së Qëndresa Ibrahimi, Zyrtare e OAK-së Rreze Cana dhe pronari i biznesit MIK MIK, Enis Pakashtica. /Lajmi.net/