Numri i vetëvrasjeve në Shqipëri mbetet i lartë
Sipas njoftimeve zyrtare të paktën gjashtë raste vetëvrasjesh janë shënuar vetëm këtë muaj në Shqipëri, duke rritur shqetësimet e opinionit publik mbi përmasat e kësaj dukurie. Vetëvrasja e një nxënëseje 16-vjeçare në Gjirokastër, e një nëne 28-vjeçare në Elbasan, e një polici në Tiranë, e një të riu në Shkodër, e një 63-vjeçari në Tiranë…

Lajme
Sipas njoftimeve zyrtare të paktën gjashtë raste vetëvrasjesh janë shënuar vetëm këtë muaj në Shqipëri, duke rritur shqetësimet e opinionit publik mbi përmasat e kësaj dukurie.
Vetëvrasja e një nxënëseje 16-vjeçare në Gjirokastër, e një nëne 28-vjeçare në Elbasan, e një polici në Tiranë, e një të riu në Shkodër, e një 63-vjeçari në Tiranë dhe e një 28-vjeçari në Vlorë po hetohen nga organet e Prokurorisë.
Në një përgjigje për Zërin e Amerikës, Instituti shqiptar i Statistikave referoi të dhënat e vetëvrasjeve në Shqipëri në pesë vitet e fundit ku vihet re një rritje e vetëvrasjeve në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023, ndërsa vitet 2020 dhe 2021 dallohen për numrin e lartë të vetëvrasjeve edhe prej situatës së COVID-19.
Sipas Instat në vitin 2024 në Shqipëri u shënuan 112 raste vetëvrasjesh dhe 92 raste tentativë për vetëvrasje, ndërkohë që në vitin 2023 ishin shënuar 98 raste vetëvrasjesh dhe 79 raste në tentativë dhe në vitin 2022 ishin shënuar 81 vetëvrasje dhe 81 raste në tentativë.
Gjatë vitit 2021 u shënuan 141 raste vetëvrasjesh dhe 125 raste në tentativë, ndërkohë që në vitin 2020 u shënuan 156 raste dhe 129 të mbetura në tentativë.
Kjo periudhë përkon me pandeminë e Covid-19, e cila rriti në Shqipëri si në gjithë botën, numrin e vdekjeve dhe edhe numrin e vetëvrasjeve.