Numër ekstrem i të vdekurve në haxh, mbi 900 pelegrinë
Numri i raportuar i pelegrinëve të vdekur nga vapa në Arabinë Saudite ka kaluar në mbi 900 të mërkurën, më 19 qershor, ndërsa miqtë dhe familjarët kërkonin të dashurit e humbur. Një diplomat arab i tha Agence France-Presse (AFP) se vdekjet vetëm midis egjiptianëve ishin rritur në “të paktën 600”, nga më shumë se 300…
Bota
Numri i raportuar i pelegrinëve të vdekur nga vapa në Arabinë Saudite ka kaluar në mbi 900 të mërkurën, më 19 qershor, ndërsa miqtë dhe familjarët kërkonin të dashurit e humbur.
Një diplomat arab i tha Agence France-Presse (AFP) se vdekjet vetëm midis egjiptianëve ishin rritur në “të paktën 600”, nga më shumë se 300 një ditë më parë, kryesisht nga vapa ekstreme.
Kjo shifër e çoi numrin total të të vdekurve të raportuar deri më tani në 922, sipas një raporti AFP të shifrave të publikuara nga vende të ndryshme, përcjell Telegrafi.
Ndryshe, rreth 1.8 milion njerëz nga e gjithë bota, përfshirë shumë të moshuar, morën pjesë në pelegrinazhin disaditor, kryesisht në natyrë, të mbajtur këtë vit gjatë verës shumë të nxehtë saudite.
Arabia Saudite nuk ka dhënë informacion mbi vdekjet, megjithëse raportoi më shumë se 2,700 raste të “rraskapitjes nga nxehtësia” vetëm të dielën.
Përveç Egjiptit, viktima janë konfirmuar edhe nga Jordania, Indonezia, Irani, Senegali, Tunizia dhe rajoni autonom i Kurdistanit i Irakut, megjithëse në shumë raste autoritetet nuk e kanë specifikuar shkakun.
Ndërkohë një diplomat aziatik i tha AFP se kishte “rreth 68 të vdekur” nga India dhe se të tjerët ishin të zhdukur.
Sipas një studimi saudit të publikuar muajin e kaluar, temperaturat në zonë po rriten me 0.4°C çdo dekadë.
Vitin e kaluar më shumë se 200 pelegrinë u raportuan të vdekur, shumica e tyre nga Indonezia.
Çdo vit dhjetëra mijëra pelegrinë përpiqen të kryejnë haxhin përmes kanaleve të parregullta, pasi ata nuk mund të përballojnë lejet zyrtare shpesh të kushtueshme.
Një nga diplomatët arabë që foli për AFP të mërkurën tha se shumë nga egjiptianët e vdekur ishin të paregjistruar.