Nuk po u njihen diplomat nga Kosova, Serbia vazhdon qasjen diskriminuese ndaj shqiptarëve të Luginës
Serbia vazhdon të shkelë të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Qeveria serbe vazhdon të mos e zbatojë planin që e kishte miratuar në vitin 2013, ndërsa për të rinjtë në Luginë, studimet vazhdojnë të jenë problem. Mosnjohja e diplomave nga Kosova dhe pamundësia për t’u punësuar në institucionet shtetërore janë ndër problemet kryesore…

Lajme
Serbia vazhdon të shkelë të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Qeveria serbe vazhdon të mos e zbatojë planin që e kishte miratuar në vitin 2013, ndërsa për të rinjtë në Luginë, studimet vazhdojnë të jenë problem.
Mosnjohja e diplomave nga Kosova dhe pamundësia për t’u punësuar në institucionet shtetërore janë ndër problemet kryesore me të cilat përballen të rinjtë në Luginën e Preshevës. Pyetja për ata është: çfarë ndodh pas shkollës dhe fakultetit?
“Dëshira ime është të kryej fakultetin dhe të kthehem për të punuar në vendlindje. Por mospranimi i diplomave ma ul shpresën për të studiuar në Kosovë. Nuk e di nëse, pasi ta përfundoj fakultetin, do të mund të kontribuoj në vendin tim”, tha Enesa Avdiu, maturante nga Presheva.
Amon Sahiti nga shoqëria civile në Preshevë i tha RTK-së se problemet e shqiptarëve në Luginë janë të shumta.
“Si mosnjohja e diplomave, pasivizimi i adresave, sidomos për ata që ndjekin studimet në Kosovë. Sinqerisht, problemet e të rinjve janë shumë më të mëdha sesa paraqiten në media”, tha ai.
Zgjidhja e këtyre problemeve ishte paraparë me Planin shtatë pikësh, të cilin Qeveria e Serbisë e miratoi në vitin 2013. Por, ky plan nuk është zbatuar asnjëherë. Një hulumtim i prezantuar së fundmi në Beograd tregon për këtë problem.
“Ky është dokumenti më i lartë politik i hartuar nga të gjitha partitë shqiptare. Ai përmban masa konkrete: njohjen e diplomave, integrimin në institucione, decentralizimin, demilitarizimin dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe sociale. Por, edhe pse është miratuar nga vetë Qeveria e Serbisë, ai nuk zbatohet”, tha Agon Islami nga Qendra për Demokraci dhe Edukim në Luginë.
Zoran Gavrilloviq, Byroja për Kërkime Shoqërore “BIRODI” theksoi: “Nga njëra anë kemi një plan të miratuar nga Qeveria e Serbisë me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe përfaqësuesve shqiptarë, ndërsa nga ana tjetër kemi probleme që mund të zgjidheshin me atë plan, por përballemi me një refuzim të vazhdueshëm për zbatim”.
Dymbëdhjetë vjet më vonë, në vend të zgjidhjeve problemet vetëm po shtohen. Pasojat janë migrimi masiv, humbje e besimit dhe një ndjenjë gjithnjë e më e thellë e diskriminimit institucional.