Nuk ndalohen vizitat në fushatë

Kryeministri Thaçi thotë se të gjithë zyrtarët e Qeverisë së Serbisë do të lejohen të vijnë në Kosovë, nëse respektohen procedurat në fuqi. Dacic e quan të sukseshëm takimin dhe pohon se politikanë serbë do të lejohen ta vizitojnë Kosovën në fushatë.

Lajme

07/10/2013 17:41

(E Plotësuar, 23:40)

Kryeministri Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb Ivica Dacic kanë përfunduar edhe një takim të ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE’së Catherine Ashton, i cili ka pasur për temë diskutimi zgjedhjet lokale të 3 nëntorit dhe vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë derisa vendi ndodhet në fushatë elektorale.

Zyra e Baroneshës Ashton e ka cilësuar takimin si “të rëndësishëm dhe të frytshëm”.

“Përfaqësuesja e Lartë e BE’së Ashton pati një takim të rëndësishëm dhe të frytshëm me Kryeministrat Dacic dhe Thaçi”, ka shkruar në Twitter, Maja Kocijancic, Zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të BE’së.

Kryeministri Thaçi e ka quajtur takimin konstruktiv.

Lidhur me vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë, sipas tij, edhe më tutje do të vazhdohet me procedurat e vizitave që kanë qenë në fuqi deri më tash, e të cilat thonë se zyrtarët qeveritarë serbë mund të vijnë në Kosovë vetëm pas shqyrtimit të kërkesave nga Qeveria e Kosovës.

Thaçi ka thënë pas takimit se askujt nuk mund t’i mohohet e drejta e lëvizjes së lirë.

Ai u shpreh se të gjithë zyrtarët e Qeverisë serbe do të lejohen të vijnë në Kosovë, nëse kërkojnë leje dhe respektohen procedurat në fuqi.

Ivica Dacic, ndërkaq, ka thënë se ky ka qenë ndër takimet më të suksesshme në Bruksel dhe se politikanëve serbë do t’u lejohet të hyjnë në Kosovë gjatë fushatës zgjedhore.

Dacic ka deklaruar se është arritur marrëveshja rreth hyrjes së përfaqësuesve serbë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Gjatë takimit me Baroneshën Ashton, Thaçi dhe Dacic janë njoftuar nga Pascal Heymann, Zvënedë Drejtor i Qendrës për Parandalimin e Konflikteve në OSBE rreth përgatitjeve që Misioni i OSBE’së në Kosovë i ka bërë për zgjedhjet lokale në katër komunat e veriut të Kosovës. Ai ka konfirmuar që numri i votueseve në veri është rreth 12,000.

Me këtë ka përfunduar takimi dhe nuk pritet të ketë takim tjetër në mes të dy palëve deri pas përfundimit te zgjedhjeve komunale në Kosovë.

 

Përfundon takimi në Bruksel

 (E Plotësuar, 23:25)

Ka përfunduar takimi mes delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë, të ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE’së për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, në Bruksel, pas disa orësh bisedash.

 

Fillon takimi trepalësh

(E Plotësuar, 20:24)

Takimet e ndara mes Përfaqësues së Lartë të BE’së për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, me Kryeministrat Ivica Dacic dhe Hashim Thaçi, kanë përfunduar.

Tashmë, në Bruksel ka filluar takimi trepalësh, në darkën e përbashkët të punës, Ashton-Thaçi-Dacic, i cili pritet të përfundojë kah mesnata.

(E Plotësuar, 19:35)

Takimi mes Baroneshës Ashton dhe Kryeministrit të Serbisë, Ivica Dacic, ka mbaruar, në Bruksel.

Dacic nuk është deklaruar, pas takimit.

Ndërkohë, delegacioni kosovar ka nisur takimin me Ashton.

Darka e përbashkët e punës, Ashton-Thaçi-Dacic, pritet të fillojë pas pak.

 

Ashton nis takimet

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, ka hyrë në selinë e BE’së në Bruksel për t’u takuar me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, rreth orës 18.30.

Rreth 45 minuta më pas, në të njëjtën ndërtesë pritet të hyjë edhe Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Më pas Ashton do t’i përballë të dy Kryeministrat në një takim të përbashkët, i cili pritet të pëtfundojë kah mesnata.

Ashton është shprehur e kënaqur me përgjigjet pozitive të dy Kryeministrave për të marrë pjesë në këtë takim, duke thënë se kjo është një shenjë e mirë që tregon se ata janë të gatshëm të bashkëpunojnë në gjetjen e një zgjidhje që do të jetë e pranueshme për të dy palët.

Zëdhënësja e Ashton, Maja Kocijancic, nuk ka dashur të japë një përgjigje konkrete për arsyen e takimit.

Ky takim është ftuar pak ditë pas tensionimeve që janë krijuar në mes të Prishtinës dhe Beogradit lidhur me vizitat e paralajmëruara të zyrtarëve serbë në Kosovë. Vizita e Ministrit të Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vulin, e cila u shfrytëzua nga ky i fundit për të bërë propagandë politike, ka bërë që pala kosovare t’ia ndalojë hyrjen e Kryeministrit serb Ivica Dacic i cili kishte paralajmëruar ditë më parë.