Nuk ka si Vataj

Ministri Hoxhaj e ka quajtur kandidatin e PDK’së për Suharekë “më të mirin në Kosovë”. Ndërsa Ramë Vataj tha se është i sigurt në realizimin e premtimeve

Lajme

05/10/2013 09:58

Figurat qendrore të PDK’së janë shpërndarë nëpër komuna në mbështetje të kandidatëve të saj për kryetarë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj e ka quajtur kandidatin e PDK’së për kryetar të komunës së Suharekës si kandidatin më të mirë në Kosovë.

Lëvdatat nuk munguan as për fisin e kandidatit. Tha se familja Berisha, është një emër i madh në Komunën e Therandës.

“Me kryetarin Ramë Vataj do të ndryshojë jeta reale. Do të ndryshojë edhe qyteti i Suharekës. Ky është qëllimi ynë e që do të jetë vërtetë ndryshim i jetës së qytetarëve në komunën tone”.

Ndërsa kandidati për këtë komunë Vataj është shprehur se premtimet e tij janë reale i sigurt në realizimin e tyre.

“Investimet për sa keni nevojë ju janë pak, edhe unë besoj në fuqinë e juaj. Te gjitha ndryshimet që kanë mundur të ndodhin janë nëpërkëmbur, prandaj ju duhet të dini kush duhet të qeveris me ju”, ka thënë Vataj.