“Non paper”, distancohet BE-ja: Dokumentet e tilla nuk shprehin pozicionet tona

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka komentuar publikimin e letrave “non paper”, ku flitet për ndyshime të kufijve në Ballkan si dhe për dialogun Kosovë – Serbi, shkruan lajmi.net.

Lajme

27/04/2021 16:11

Zëdhënësi i BE-së për Kosovën, Peter Santo ka thënë për lajmi.net se këto dokumente nuk shprehim pozicionet e Bashkimit Evropian.

“Si rregull i përgjithshëm, ne nuk komentojmë për ndonjë letër ose dokumente që pretendohet  të jenë “non paper” që shfaqen në media të ndryshme. Në rast të veçantë të dokumenteve të pretenduara së fundmi, ato nuk shprehin pozicionet e BE-së dhe këto nuk u morën nga Komisioni Evropian dhe as nga Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm”, thuhet në një përgjigje për lajmi.net.

Ndyshe publikimi i dokumentit të ashtuquajtur “non-paper”, ku flitet për marrëveshjen Kosovë-Serbi, dhe thuhet se do të ketë njohje të integritetit dhe sovranitetit territorial të të dyja vendeve, ka nxitur reagime.

Në këtë dokument ku thuhej se është nismë gjermano-francez, thuhet se procesi i dialogut duhet të përmbyllet para fundit të shkurtit të vitit 2022.

Në fokus të mediave në rajon ishte edhe një ‘non-paper’ i pretenduar për ndryshimin e kufijve të shteteve të Ballkanit dhe riorganizimin e tyre mbi baza etnike, ku përfshihet edhe Kosova dhe Shqipëria, e që si autorë të këtij dokumenti përmenden zyrtarët e lartë shtetëror sllovenë. /Lajmi.net/