Nobelin e meritojnë qytetarët e Kosovës
Kryeministri Hashim Thaçi ka folur për herë të parë pasi është propozuar për Çmimin Nobel për Paqe. Thotë se këtë çmim e meritojnë qytetarët e Kosovës. Ai pohon se çdo vendim e ka marrë duke pasur parasysh interesat e Kosovës.

Lajme
Hashim Thaçi ka bërë një dedikim sot në mëngjes.
Një ditë pasi ka marrë lajmin për nominim për Çmimin Nobel për Paqe, Kryeministri i Kosovës u ka thënë qytetarëve se, nëse ndodh që ky propozim të jetësohet, atëherë meritorë për të do të jenë vetë qytetarët.
Thaçi ka shkruar në profilin e tij në Faceboook se qytetarët e Kosovës janë “heronjtë e Nobelit të lirisë së Kosovës dhe paqes në Europë”.
Një grup i ligjvënësve amerikanë e kanë propozuar Kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, Kryeministrin e Serbisë Ivica Dacic dhe Përfaqësuesen e Lartë të BE’së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherinme Ashton për Çmimin Nobel për Paqe për vitin e ardhshëm.
“Dje mora lajmin për nominimin për Çmimin Nobel për Paqe nga Kongresi Amerikan. Sigurisht që u ndjeva i nderuar. Dua t’ju flas nga zemra: pavarësisht çka ndodh tutje, Nobelin për Paqe, heroizëm, qëndresë e pjekuri, më shumë se kushdo tjetër, e meritoni Ju, qytetarë të Kosovës”.
“E meritojnë mësuesit që me vetëmohim hapen shkollat e para, e na mësuan gjuhën dhe historinë tonë. Profesorët e parë të Universitetit të Prishtinës, që çdo ditë ecnin në teh të rrezikut, që krahas dijes na edukuan me atdhedashuri e dinjitet”.
“E meritojnë mjekët, që na shëruan plagët, ushtarët që në altarin e atdheut dhanë jetën për liri duke u bërë dëshmorë të përjetshëm, invalidët e luftës, familjet e dëshmorëve – heronjtë e lirisë së Kosovës, që janë themeli i shtetit tonë të ri”.
“Ju qytetarë të Kosovës jeni heronjtë e vërtetë të heshtur, heronjtë e Nobelit të lirisë së Kosovës dhe paqes në Europë”.
“Çdo vendim politik që kam marrë në jetë, sado i vështirë e jopopullor të ketë qenë ai në momente të caktuara, e kam marrë duke pasur parasysh interesat e Kosovës dhe të kombit tim”.
“Një shpresë e rilindur, një mundësi më e mirë për të ardhmen e fëmijëve tanë ka qenë dhe mbetet motivi im i vetëm jetësor dhe politik. Besimi juaj në këtë rrugëtim është vlerësimi më i lartë për mua. Të tjerat kanë më pak rëndësi”.
“Prandaj, nominimi për Nobel ju takon juve qytetarë të Kosovës”, ka shkruar Kryeministri Thaçi.